Rama: Luftojmë për të drejta që nuk falen

10/05/2010 22:10

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar se protesta e opozitës që ka arritur kulmin me grevën e urisë bëhet për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Rama është shprehur se këto të drejta nuk mund t’i falen qeverisë që qëndron në pushtet me vota të vjedhura.

“Njeriu për lirinë dhe të drejtat e tij mund të arrijë shumëcka i duket e paarritshme. Greva e urisë është forma më e lartë e protestës paqësore. Greva të degraduara ka pasur shumë në Shqipëri, por kjo është një grevë e vërtetë, që bëhet për disa parime që s’mund të falen dhe s’mund të shiten”, ka pohuar Rama.

Lideri i opozitës ka fajësuar pikërisht qeverinë Berisha, e cila sipas tij ka bërë që në vend të thellohet varfëria, papunësia dhe pengimi i zhvillimit.

“Sot shqiptarët janë peng i një vendi të prapambetur, të varfër, me papunësi të madhe, ku punëdhënësi është shteti i bashkangjitur me pushtetin dhe ku perspektivat e zhvillimit janë shumë të mbyllura”, ka nënvizuar Rama.

Ai ka theksuar se me hapjen e kutive PS nuk synon të marrë pushtetin, por që të shmangë përsëritjen e grabitjes së votave, mekanizëm që sipas tij kohët e fundit është bërë shumë kërcënues.

“Me hapjen e kutive ne nuk duam të marrim pushtetin, por duam që me dritën e transparencës të shkrijmë mekanizmin e errësirës që deformon vullnetin e popullit duke vjedhur votën. Ky mekanizëm së fundmi është sofistikuar me një korrupsion shumë kanosës ndaj zgjedhjeve dhe me të cilin ne jemi në një betejë të pandalshme, që do ta fitojmë për interesin publik. Jo për të marrë pushtetin, por për të mos lejuar më që nga zgjedhjet të dalë një qeveri që nuk e ka zgjedhur populli”, ka deklaruar Rama.

I pyetur për pengesën eventuale të opozitës në procesin e liberalizimit të vizave, Rama është shprehur se procesi në fjalë ka ngecur për shkak të paaftësisë së qeverisë, e cila sipas tij nuk është në gjëndje të plotësojë standartet.

Ai ka shtuar më tej se situata në vend është e papranueshme, pasi për shkak të pushtetit të vjedhur qytetarët detyrohen ose t’i shërbejnë qeverisë, ose të dëbohen nga vendi.

“Sot jetojmë në kushtet e një mbretërie të pashpallur që i kërkon popullit t’i shërbejë gojekycur dhe të marrë një copë bukë sa për të mbajtur frymën gjallë, ose i thotë “bëhu njësh me pushtetin dhe të ndash fitimet përmes abuzimeve”. Gjithashtu, është edhe opsioni që shteti i thotë qytetarit “ik, se për ty nuk ka vend” dhe ne këtë nuk mund ta pranojmë”, ka shtuar Rama.

Top Channel