Rama: Greva e urisë një mjet, por jo i fundit

10/05/2010 21:50

Edi Rama ka deklaruar në emisionin “Shqip” në Top Channel se greva e urisë është një mjet, por jo i fundit për të arritur qëllimin e opozitës, që sipas kreut të PS-së është një e ardhme më e mirë për Shqipërinë.

“Çështjet e ngritura nga ne janë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe nuk janë çështje që lidhen me PS-në apo me Edi Ramën”, është shprehur Rama.

“Greva e urisë ështe nje mjet, por as i pari as i fundit. Është një mjet i fortë ndaj një të keqeje. Ne do t’i përdorim të gjithë elementët e mundshëm që jo të fitojme ne, por të fitojë Shqipëria. Ne nuk duam të marrim pushtetin me këto protesta me këtë grevë urie dhe me të gjitha këto përshkallëzime. Ne duam që pushteti të mos merret më pa vullnetin e popullit”, deklaroi Rama.

“Boll më me zgjedhje mizerabël që nuk kanë lidhje me vendet e NATO-s dhe BE-së”, theksoi Rama.

Ai ka ftuar mazhorancën që të bien dakord për një sistem që do të garantojë zgjedhjet në Shqipëri.

“Ftesa ime dhe jona për palën tjetër është të biem dakord që t’i japim fund një sistemi pengmarrës në Shqipëri dhe t’i hapim rrugë një sistemi të ndershëm që garanton se vota shkon atje ku secili e çon”, u shpreh Rama.

Top Channel