Xhafaj: Greva e urisë, më transparentja

09/05/2010 11:35

Deputeti grevist i PS-së, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se sfidon këdo që është skeptik për vërtetësinë e grevës së urisë. Duke folur gjatë protestës së opozitës në “Dëshmorët e Kombit”, Xhafaj ka theksuar se është i vendosur për të dhënë edhe jetën në emër të lirisë.

“Sfidojmë cilindo që nuk beson që të marrë mundimin që të qëndrojë mes nesh dhe të prekë të vërtetën e kësaj sakrifice sublime. Greva e urisë është më e madhja dhe më transparentja, sepse ne kërkojmë transparencën e zgjedhjeve që Berisha i bëri pis”, deklaroi Xhafaj.

“Gjyqi i historisë do ta ndëshkojë me turp dhe do ta dënojë pa të drejt apeli. Është tërësisht i vetmuar përballë qytetarisë që po e sfidon me votë dhe qytetari. Berisha hiqu, lëri djemtë e rinj të ecin në rrugën e drejtë, drejt Evropës. Ky popull i vuajtur meriton të jetë ndryshe, meriton dritën, punën, dinjitetin dhe lirinë. Jam i gatshëm të japë jetën time si peng për lirinë. Por për lirinë dhe jo Salinë dhe pushtetin. Më mirë një jetë me një orë në liri, sesa një jetë e tërë në skllavëri”, theksoi Xhafaj.

Top Channel