Protesta e opozitës, në grevë edhe Elsa Lila

09/05/2010 20:15

Grevës së opozitës që ka arritur në ditën e 9-të të saj i është bashkuar edhe këngëtarja Elsa Lila , e cila e quajti këtë veprim të saj një detyrim qytetar ndaj Shqipërisë europiane. (UPDATE)

“Vëllezër dhe motra unë tani po iki do shkoj të bashkohem me grevistët dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm. Që nga ky moment po hyj në grevë urie me dëshirën time të lirë. Faleminderit”, deklaroi këngëtarja Elsa Lila.

E teksa një greviste është shtuar, një tjetër ka dalë. Gjatë protestës në gjendje të rëndë është shoqëruar për në spital Elisa Spiropali.

Në ditën ndërkombëtare të Europës, socialistët, por edhe krerët e tjerë të opozitës e quajtën grevën që po zhvillohet në bulevardin përpara kryeministrisë simbol të një ndryshimi të madh që synon të bashkojë Shqipërinë me Europën.

“Sot 9 maji na bën thirrje për t’i dhënë fund kufijve të vjetër, për t’i dhënë fund kësaj historie, maskarade e hipokrizie ku ka historianë që janë të gatshëm të na thonë se nuk ka 25 mijë dëshmorë duke hapur varret e tyre dhe këta palaço nuk janë të gatshëm të hapin ca kuti votimi për të parë se sa shqiptarë kanë votuar për demokracinë”, deklaroi deputeti socialist Pandeli Majko.

Një betejë për qytetarët kështu e quajti kryesocialisti Rama, i cili premtoi se kjo betejë nuk do të përfundojë deri në realizimin e kërkesave të opozitës dhe gjithë shqiptarëve.

“Është e rrezikshme të kesh të drejtë kur qeveria e ka gabim. Kjo çadër është simboli i sfidës së madhe të popullit opozitar, i atyre 1 milion shqiptarëve që kanë marrë pjesë nëpër protesta në gjithë këta muaj, i sfidës së madhe të Shqipërisë që kërkon të çlirojë të vërtetën për të patur një liri të vërtetë. Sfida jonë është se ne nuk pyesim për asnjë rrezik sepse ne nuk këmi frikë të këmi të drejtë.

Sipas Ramës kjo sakrificë njerëzore po kryhet për t’i dhënë rrugë një Shqipërie të re.
 
“Ne të ndryshëm na bën fakti që jemi lindur në mes të Europës, jemi europianë dhe në do të jetojmë në Shqipërinë tonë si europianë sado kjo të kushtojë dhe sado e madhe të jetë përpjekja dhe sakrifica për të çliruar lirinë dhe për ta vendosur në themel të bashkëjetësës sonë të drejtën që Kushtetuta mos jetë një libër që na e lexojnë ata që në pushtet e shkelin përditë, por një bibël që e respekton cilido që jeton në këtë tokë çdo ditë”, deklaroi kreu i PS-së Rama.

Disa orë pas përfundmimit të protestës nga greva në gjendje të rënde ka dalë edhe qytetari nga Kukësi Kujdesi Basha i cili është transportuar me urgjencë në spital.

Top Channel