Pas tri ditësh pritet të përfundojë procesi i verifikimit të dëmeve të dy përmbytjeve të fundit të shkaktuara në zonën e Nënshkodrës.
Sekretari i Qarkut të Shkodrës, Besnik Kastrati, ka pohuar për “Shqip” se pas verifikimit të dëmeve do të nisë shpërndarja e masave të dëmshpërblimit, si në rastin e përmbytjeve të këtij fillimviti.
“Kemi regjistruar rreth 1630 kërkesa për verifikim, pas tri ditësh pune. Kemi arritur që të evidentojmë mbi 700 objekte verifikimi. Shpresojmë se dhe për tri ditë do mund të kryejmë të gjithë verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga dy përmbytjet e fundit, që i bien të jenë përmbytja e dytë dhe e tretë. Nga kërkesat që kemi për objekte, të gjitha janë sipërfaqe toke të mbjella dhe nuk kemi asnjë shtëpi banimi të dëmtuar. Pasi të kryhet verifikimi i dëmeve, do të ndiqet e njëjta rrugë siç u ndoq dhe për të parën, ku listat me verifikime do të dërgohen në Tiranë dhe pas një vendimi të qeverisë do të bëhet dhe kompensimi me lekë i dëmeve të regjistruara. Ashtu siç janë duke i marrë paratë të gjithë ata që u dëmtuan herën e parë që ishin dhe shumë më tepër si në numër ashtu dhe në dëme, banorët e Nënshkodrës do të marrin paratë për dëmet e krijuara gjatë dy përmbytjeve të fundit”, ka deklaruar Kastrati.
Krahasuar me përmbytjen e parë, dëmet duken shumë më të vogla, pasi në përmbytjen e parë u verifikuan të dëmtuara mbi 4 mijë shtëpi dhe gjysma e tyre kishin dëme në orenditë shtëpiake.
Në terren aktualisht janë duke vepruar 7 grupe verifikimi, që janë përqendruar kryesisht në zonën e Nënshkodrës në fshatrat: Obot, Dajç dhe Berdicë, zona këto që njihen si më problematike.
Top Channel