Negociatat, Topi i telefonon Ramës

09/05/2010 19:50

E ndërsa në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” po zhvillohet prej nëntë ditësh greva e urisë e deputëve dhe mbështetësve të opozitës, duket se nevoja për të dalë nga kjo krizë dhe presioni në rritje i ndërkombetarëve ka bërë që të shtohen intensivisht tentativat për negociata mes palëve.

Disa dhjetra metra më larg ndodhet selia e Presidencës dhe kreu i shtetit është personi dhe institucioni ku po zhvillohen ethshëm takime e telefonata.

Pas të premtes së ngarkuar me biseda politike si me faktorin ndërkombëtar dhe me përfaqësues të mazhorancës, kreu i shtetit mësohet se ka vijuar edhe të shtunën kontaktet me palët në konflikt për të gjetur pikat e përbashkëta.

Në këtë kuadër të shtunën Presidenti ka patur edhe një telefonatë të gjatë me kreun socialist, Edi Rama, i cili mungoi të premten në Tiranë, gjatë kohës që Topi takohej me ambasadorët e huaj më të rëndësishëm në vend dhe zëvendëskryeministrin Ilir Meta.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se gjatë 48 orëve të fundit ka patur shumë punë pas kuintave dhe një progress në gjetjen e disa pikave të përbashkëta mbi të cilat të zhvillohet një negociatë në distancë, progres që gjithsesi konsiderohet ende si i pamjaftueshëm për një marrëveshje përfundimtare.

Ndërsa opozita kërkon hapjen e kutive, dhe mazhoranca e refuzon atë me argumentin e gjykatave, duket se pika e përbashkët deri tani ka qënë hapja dhe verifikimi i materialeve zgjedhore pa prekur votat. Dhe përpjekjet e Presidentit, sipas të njëjtave burime diplomatike janë përqëndruar deri tani në këtë drejtim.

Materialet zgjedhore për momentin konsiderohen si një hap përpara në arritjen e një marrëveshjeje të negociuar, por ende një pikë e pamjaftueshme për zgjidhjen e krizës, që do të thotë fundin e grevës së urisë së opozitës.

E hëna pritet të sjellë të tjera zhvillime, ku ndërkombëtarët duken optimistë se negociatat mund të ecin edhe më shumë përpara drejt një marrëveshje dhe një zgjidhje. E kjo kur të dy liderët kanë dhënë prova në të kaluarën se dinë të gjejnë kompromisin mes tyre, siç ishte edhe marrëveshja e 21 prillit 2008 me ndryshimet Kushtetuese.

Prandaj diplomatët e huaj të angazhuar në proces, shprehen se presin që secila palë të lëshojë diçka nga qëndrimet për t’i dhënë jetë zgjidhjes përfundimtare. Një zgjidhje që shpresohet të mos jetë e vonë për grevistët e urisë, ku tani jo më çdo ditë, por çdo orë e minutë që kalon e vë në rrezik jetën e çdo protestuesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA