Inaugurohet ende pa u përfunduar spitali i Lushnjës. Godina e re është inauguruar paraditen e së shtunës, në ditën kombëtare të talasemikëve, edhe pse punimet nuk kanë përfunduar.
Ka qenë vetë kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Petrit Vasili, që ka kryer inaugurimin e radhës me investime të lëna përgjysmë. Një nga godinat e spitalit të Lushnjës, ku duhej të ofrohej shërbimi mjekësor Okulistik, Kirurgji-Reanimacion dhe Patologji, ka tre vjet që është përfshirë nga investimet.
Mjekë të spitalit të Lushnjës janë shprehur se godina e re spitalore, e cila u përurua nga ministri Vasili ka më tepër se një vit që ka dalë nga afati i përfundimit të punimeve dhe akoma rezulton e papërfunduar. Hoteleria, shërbimi i ashensorit, tualetet dhe tavani i katit të fundit, atij të tretë, e bëjnë godinën jashtëfunksionale. Në katin e parë dhe të dytë të spitalit që serviret si i ri, dhomat e pacientëve dhe mjediset që do të përdoren nga bluzat e bardha janë bosh. Vetëm në katin e tretë disa dhoma janë vënë në funksion të pacientëve. Për të hyrë në këto mjedise, aq më shumë kur spitali inaugurohej nga ministri, ka qenë e vështirë.
Dy hyrjet e daljet e një projekti të lënë përgjysmë për ashensor janë bllokuar me një derë të vendosur si pengesë dhe me një dërrasë që luan të njëjtin funksion. Gjurma e vetme e ashensorit është vendi i lënë bosh nga projekti. Tualetet e këtij pavijoni janë pa dyer dhe pa sistem ajrimi. Ndërkohë, një pjesë e tavanit të katit të fundit është dëmtuar dhe shiu hyn lehtësisht në mjediset e brendshme të dhomave, ku gjenden të shtruar pacientë. Infermieret kanë marrë urdhër të mos lejojnë asnjë në dhomat ku është rrëzuar tavani, ndërkohë që askush nuk e fsheh dot investimin e lënë përgjysmë.
Top Channel