Rama: E ardhmja s’mund të mbahet peng nga kjo qeveri

08/05/2010 20:00

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në protestën e pasdites në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ para kryeministrisë dhe pranë cadrave të grevistëve deklaroi se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga ky pushtet i votave të vjedhura.

Marrë shkas nga deklarata e sotme e Partisë Demokratike për hyrjen në ambientet e grevës të ekipeve mjekësore, Rama e cilësoi këtë qëndrim si një kërkesë për transparencë që bie ndesh me arsyen e stërmundimit të protestuesve që janë këtu si pasojë e mos hapjes së kutive të votimit dhe zbardhjes së krimit elektoral të 28 qershorit.

“Frika është arma e fundit me të cilën Berisha po mban pushtetin e kutive të mbyllura”, u shpreh Rama.

Kreu socialist vlerësoi frymën e lartë të moralit dhe vendosmërisë së grevistëve, si dhe mbështetësve nga e gjithë Shqipëria.

Në protestën e sotme morën pjesë mbështetës nga Korca dhe Gjirokastra, para të cilëve paraprakisht folën deputetët të këtyre qarqeve si dhe grevistë të thjeshtë.

Top Channel