Protestuesit, vezë ndaj ndërtesës së TVSH-së

08/05/2010 20:10

Anëtarë e simpatizantë socialistë nga Korca e Gjirokastra u mblodhën përpara stadiumit ‘Qemal Stafa’ për të nisur protestën, tanimë tradicionale të mbasdites.

Me shallin kuq e zi, simbol i grevistëve të urisë dhe pankarta në duar, protestuesit nisën të marshojnë drejt kryeministrisë, duke kaluar përpara godinës së Radiotelevizionit Publik.

Përpara godinës së radiotelevizionit publik protestuesit goditën selinë me vezë, në shenjë pakënaqësie ndaj mbulimit mediatik që ky institucion i ka bërë aktiviteteve të fundit të opozitës. Partia Socialiste e ka akuzuar mëse njëherë TVSH-në se ka qenë palë me pushtetin. Protestuesit vijuan më tej, duke u ndalur për disa minuta përpara hyrjes anësore të kryeministrisë.

Duke dalë për në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, protestuesit këmbyen mesazhe mbështetjeje me grevistët e urisë, që kishin dalë për t’i përshëndetur.

Mitingu i opozitës është duke u zhvilluar në këto momente në bulevard, përpara cadrave të grevistëve, që janë në ditën e tetë të grevës së urisë.

Top Channel