Greva në ditën e shtatë

08/05/2010 00:20

Protestues nga Fieri, Lushnja dhe Patosi kanë zbritur në kryeqytet në protestën në mbështetje të grevës së urisë që ndodhet në ditën e 7 të saj. (UPDATE)

Marshimi ka nisur tek zona e 21 dhjetorit për të vijuar përgjatë rrugës së Kavajës, më pas përpara kryesisë së Kuvendit e që aty protestuesit kanë dalë në bulevard ku po zhvillohet greva urisë.

Duke i kërkuar kryeministrit t’i hapë rrugë transparencës së zgjedhjeve, deputetët socialistë konfirmuan vullnetin për të mos u tërhequr pa u realizuar kjo kërkesë e tyre.

“Unë por jo vetëm unë, dhe ju të gjithë e dini mirë që Sali Berisha që shihni në ekrane nuk është Sali Berisha i vërtetë. Ai i vërteti është burri që ka frikë, ai i vërteti është burri që qan, ai i vërteti është burri që dridhet. Sot e dimë më mirë këtu në këtë bukevard, i vetmi shqiptar që ka frikë nga populli, që ka arsye të qajë përpara popullit është vetëm ai, Sali Berisha”, tha në fjalën e tij para protestuesve deputeti socialist Bashkim Fino.

Të njëjtën kërkesë përsëriten edhe aletatët e PS-së.

“Duhet që më datën 9 maj ne të festojmë 2 festa bashkë, atë të Europës dhe të fitores mbi fashizmin, që 9 maji të jetë fitorja e demokracisë, fitorja e votës së lirë, fitorja e qytetarëve të Shqipërisë”, tha në fjalën e tij kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule.

Ndërkohë Gramoz Ruçi tha se kjo grevë urie është simbol i një beteje për të ndryshuar faqen e historisë në Shqipëri.

 “Ne socialistët shqiptarë, bashkë me aleatët tanë dhe gjithë popullin e madh opozitar kërkojmë të drejtën tonë natyrale për transparencë sepse e dimë që liria dhe demokracia janë në rrezik nga terri dhe errësira e një pushteti që ka sot për aleatë vetëm errësirën. Të gjithë, për të majtët dhe për të djathtët kërkojmë një Shqipëri ndryshe, duam Shqipërinë e punës, shpresës, dinjitetit e drejtësisë”, tha në fjalën e tij zoti Ruçi.

Vetëm pak minuta pas përfundimit të protestës një tjetër grevist, Isa Arapi nga Vlora është detyruar të dalë nga greva në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjatë paradites qytetari Niko Gora nga Korça lë grevën dhe me autoambulancë i drejtohet spitalit.

Zoti Brokaj thotë se gjendja është e rëndë dhe nga pikpamja mjekësore, shumë grevistë duhet të ndërpresin grevën.

Një konferencë për shtyp e deputetes Valentina Leskaj ndërpritet nga një dalje tjetër, Edmond Prifti, 37 vjec nga Patosi lë gjithashtu grevën.

Faktori ndërkombëtar është shprehur se situata në Shqipëri mund të pengojë marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Sipas deputetes Leskaj, hapja e kutive është celësi i zgjidhjes së krizës dhe i përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin europian:

Ndërkohë është kthyer në kamp Demo Muhaj, që doli një ditë më parë nga greva, por shtabi i protestës i ka kërkuar të kthehet në spital. Gjendja e tij shëndetësore nuk e justifikon vazhdimin e grevës.

Gjate paradites grevistet kane marre edhe mbeshtetjen e nje figure historike të Partisë Socialiste, Dritero Agollit

Top Channel