Skema, protesta në të gjithë vendin

07/05/2010 08:30

Protestat e opozitës do të shtrihen në të gjithë vendin. Ashtu sikurse është paralajmëruar, skenari i lëvizjes së rrugës do të shpërndahet në të gjitha rrethet në mënyrë që presioni ndaj qeverisë të bëhet politikisht efektiv.

Prononcimet e përditshme të deputetëve socialistë, që qëndrojnë pranë grevistëve, po konfirmojnë vendosmërinë e opozitës për t’iu përmbajtur këtij skenari që po zhvillohet aktualisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por që ende nuk po dikton një zgjidhje konkrete.

Grevës së urisë, si akt ekstrem i reagimit i mungon elektrizimi i situatës politike në mbarë vendin, i cili do të bënte të detyrueshëm një hap të ri të qeverisë.

Një sinjal për masivizimin e protestës është dhënë para dy ditësh me bllokimin e rrugës nacionale, në Tepelenë, gjatë një tubimi të organizuar nga deputetët socialistë dhe simpatizantë të saj.

Po kështu, të mërkurën pasdite protestuesit mbështetës të Partisë Socialiste kanë bllokuar urën e Peshkëpisë duke bërë të qartë opsionin e përkeqësimit të situatës.

Në mbështetje të këtij skenari edhe dje, deputetja Vasilika Hysi, ka deklaruar se “protestat do të vijojnë në të gjithë vendin”, çka përcjell përfytyrimin e shtrirjes kapilare të reagimit politik që ka zbritur në rrugë.

Top Channel