Bilanci, Kushtetuesja rrëzoi 22 herë qeverinë

07/05/2010 08:55

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar brenda këtyre 5 viteve jo pak, por 22 ligje të qeverisë, duke i cilësuar ato antikushtetuese.

Ligjet e rrëzuara nga Kushtetuesja janë ligje të “reklamuara” me forcë nga qeveria, por që nuk kanë gjetur mbështetjen e opozitës dhe të grupeve të interesit.

Pas ankimimeve ata janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur të rrëzojë projektet e qeverisë duke i konsideruar shumicën e tyre në mospërputhje me Kushtetutën e vendit.

Përveç dy ligjeve të fundit të rrëzuara nga Kushtetuesja dhe që kanë qenë për një kohë të gjatë në qendër të debatit politik dhe mediatik, si ligji i dosjeve dhe Marrëveshja e kufijve me Greqinë, janë një sërë ligjesh të tjera që janë rrëzuar gjatë pesë viteve të fundit.

Në këtë listë përfshihet ligji “Për funksionimin e gjyqësorit”, ligji “Për legalizimet dhe urbanizimet në zonat informale”, ligji “Për procedurat tatimore, gjobat”, ligji “Për miratimin e aktit normativ për urbanistikën”, ligji “Për miratimin e aktit normativ për prefektin”, ligji “Për Akademinë e Shkencave”, ligji “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj” dhe së fundi “Marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detarë”.

Top Channel