“Dorëzohet” euro

06/05/2010 16:45

Pas shumë muajsh forcimi të vazhdueshëm, Euro është dorëzuar më në fund edhe ndaj Lekut. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se Euro arriti këtë të enjte në tregun valutor vendas pikën më të ulët ndaj lekut në tetë muajt e fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye në tregun e brendshëm mestarisht me 136.59 lekë, nivel në të cilin monedha europiane nuk kishte rënë që nga tetori i vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë se krahasuar me fillimin e prillit, euro është zhvlerësuar me 1.7 për qind ndaj lekut duke u blerë 2.4 lekë më pak.

Kriza greke dhe gjendja e vështira financiare në disa vende të Bashkimit Europian po e rrëzojnë euron thuajse ndaj të gjitha monedhave të tjera.

Ndaj dollarit amerikane monedha e përbashkët europiane ra sot në nivelin më të ulët të 14 muajve të fundit ku një euro u këmbye me 1.28 dollarë. Vetëm gjatë këtij viti euro është zhvlerësuar me 10.5 për qind ndaj dollarit dhe 3.8 për qind ndaj monedhës britanike paund. Tashmë euro nuk shihet më si monedha më e sigurtë në treg për shkak të pasigurive që ka krijuar kriza greke dhe gjendja e vështirë e Portugalisë dhe Spanjës.

Top Channel