Protesta, Brace: Kjo, qeveria e korrupsionit

05/05/2010 18:55

PS po vijon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet protestën e saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Në fjalën e tij, deputeti Erjon Brace e ka vënë theksin tek korrupsioni që sipas tij ekziston në radhët e qeverisë, e cila grabiti votat e shqiptarëve.

“Korrupsioni në qeverinë e Berishës është shumë i lartë. Qytetarë të majtë e të djathtë kanë identifikuar korrupsionin, që është fuqia e politikës së Berishës. Nuk është vota dhe s’ka qenë kurrë vota. Ky nuk është pushteti i shqiptarëve, por pushteti që grabit shqiptarët”, ka deklaruar Brace.

Brace ka theksuar se beteja e PS nuk bëhet për pushtet, por për të rikthyer në funksionim demokracinë, në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

“Mos aludoni se ne po luftojmë për këtë pushtet, na fyeni nëse na krahasoni me familjen në pushtet, që vrau 26 shqiptarë të ndershëm për shkak të korrupsionit. Beteja jonë është parimore, për të bërë demokracinë të funksionojë për njerëzit e këtij vendi, jo për pasurim”, ka shtuar Brace.

Top Channel