Mitingu i radhës i opozitës në bulevard

05/05/2010 00:30

Në mbrëmje Edi Rama u ndal gjatë në arsyet e cdonjërës prej grave të futura në grevë urie ose jo, që protestojnë përpara kryeministrisë që prej 4 ditësh. Edi Rama i përmendi ato me emër, përvec njërës. (UPDATE)

“Nuk mund t’jua them emrin, se ajo vetëm me një rrogë, atë të burrit të saj në punë. Kjo është historia e këtij bulevardi, gruaja në grevë ndërsa burri në manifestimin e 1 majit për shkak të rrogës. Ne duam t’i japim fund kësaj historie”, tha Rama.

Më herët gjatë paradites, në një tjetër miting, kryetari i partisë socialiste kishte shprehur vendosmërinë për t’i shkuar kësaj proteste deri në fund. Duke i dhënë në këtë mënyrë edhe një përgjigje komisionerit për zgjerimin Stefan Fyle. Nga Brukseli ai ishte shprehur për marrjen e përgjegjësive për krizën, ndërkohë që për shëndetin e grevistëve, kishte bërë përgjegjës Edi Ramën.

“Palët kanë përgjegjësitë e tyre. Përgjigjësia jonë është që ta çojmë përpara këtë betejë dhe ne e kemi marrë këtë përgjegjësi me vetëdije të plotë kombëtare, europiane dhe qytetare”, vijoi në fjalën e tij Rama.

Të martën në darkë greva hyri në ditën e pestë të saj.

Top Channel