BSH: Kujdes me eurobondet

05/05/2010 15:10

Kur qeveria po bëhet gati për të marrë rreth 400 milionë euro borxh në tregun ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë i kërkon asaj të bëjë kujdes.

Në raportin e stabilitetit financiar për vitin 2009, Banka thotë se rritja e borxhit të jashtëm duhet të ndiqet me vëmendje  pasi duhet vlerësuar rreziku i interesave të larta dhe aftësia e buxhetit për të përballuar pagesat për shlyerjen e tij në të ardhmen.

Banka e Shqiperise e ka nje arsye te forte per te arritur ne kete konkluzion, pasi sipas te dhenave te saj  krahasuar me vitin 2007, borxhi i jashtëm i Shqipërisë është rritur me 8.7 përqind ndaj produktit të brendshëm bruto. E konvertuar në vlerë, kjo do të thotë se vetëm në dy vite borxhi i jashtëm i Shqipërisë është rritur me mbi 1 miliardë e 100 milionë dollarë.

Banka e vlereson politiken qeverise per te marre borxh nga jashte pasi synon përmirësimin e kostos së tij në afat të mesëm dhe dalja në tregun e eurobondeve i imponon qeverisë një disiplinë më të madhe në menaxhimin e financave publike. Por njëkohësisht vëren se borxhi i jashtëm është gjithmonë i rrezikuar nga goditjet e kursit të këmbimit. Sipas bankes orientimi ndaj borxhit te jashtem eshte më me risk pasi që dy vitet e fundit, vihet re një rritje e fortë e kredive që qeveria ka marrë me interesa të luhatshme nga jashtë, të cilat ndryshojnë në bazë të ecurisë së euriborit.

Kursi dhe ecuria e normave referencë paralajmëron banka mund të japin efekte të konsiderueshme në buxhet. Ndaj autoriteti qëndror monetar në vend, i kërkon qeverisë një përcaktim të saktë dhe kritere të disiplinuara për marrjen e borxhit të huaj në vazhdimësi, në mënyrë që të përballohet kostoja e rifinancimit ose e shlyerjes së tij në momentin e maturimit.

Top Channel