Fier, bum lejesh ndërtimi në KRT

02/05/2010 08:35

Rikthehen ndërtimet në qytetin e Fierit. Mbledhja e radhës e Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Fierit u ka hapur rrugën një numër ndërtimesh që priten të nisin punimet në periudhën në vazhdim.

Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Urbanistikës së bashkisë, numri i madh i dosjeve të shqyrtuara dhe të hedhura për miratim në KRT e qytetit, tregon rikthimin e interesave në fushën e ndërtimit. Ndryshe nga periudha e fundit dyvjeçare, ku u vu re një tkurrje e numrit të ndërtimeve të reja, fierakët duket se i janë kthyer sërish sektorit më fitimprurës.

Gjatë katër muajve të fundit, KRT-ja nuk ka funksionuar, për shkak të shkarkimit të katër anëtarëve nga prefekti dhe vonesës në zëvendësimin e tyre. Në mbledhjen e zhvilluar pasditen e së premtes u paraqitën për vendim, 16 kërkesa për sheshe ndërtimi dhe 17 kërkesa të tjera për leje ndërtimi.

Manol Goga, kreu i Drejtorisë së Urbanistikës në Bashkinë e Fierit, i cili ka drejtuar edhe mbledhjen e radhës së KRT-së, pasi ka prezantuar në monitor të gjitha kërkesat, është ndalur me diskutime dhe marrje mendimesh për paraqitjet grafike dhe planimetritë përkatëse për çdo kërkesë.

Nga shqyrtimi i materialit të diskutuar dhe miratuar nga KRT-ja e bashkisë, mësohet se numri më i madh i lejeve të dhëna, i përket iniciativës private, për ndërtime të pallateve shumëkatësh. Vetëm një numër i vogël ndërtimesh janë banesa, apo dhe shtesë kati për to. Përveç planimetrive të përcaktuara për sheshe ndërtimesh të privatëve, në mbledhjen e fundit janë diskutuar edhe katër studime urbanistike pjesore. Këto studime pjesore kanë të bëjnë me lagjen “16 prilli” përgjatë rrugës “Leon Rei”, “Llukan Toska” dhe afër stadiumit të qytetit, si dhe me lagjen “Kastriot”. Këto studime të diskutuara në mbledhjen e fundit kanë lidhje me strategjinë e zhvillimit të qytetit dhe asnjë ndërtim pa u studiuar nga urbanistika e bashkisë nuk lejohet të ndërtohet në territorin e qytetit të Fierit.

Top Channel