Bulqizë, vijon puna e paligjshme në minierë

02/05/2010 08:45

Task-Forcë, e ngritur në  Minierën e Bulqizës prej më shumë se një muaji, ende nuk ka dhënë asnjë rezultat të dukshëm, në  lidhje me qëllimin e ngritjes së saj.

Kështu edhe përkundrejt zhurmës së madhe të ngritjes së kësaj strukture nën drejtimin e prefektit, që si detyrë numër një të saj do kishte ndalimin e punës për shoqëritë minerare të palicencuara, përkundër pritshmërisë ende nuk është ndaluar asnjë e tillë. Por ndërkohë për prefektin e Qarkut të Dibrës, Xhafer Seiti, plani i veprimit të miratuar nga Task-Forca e ngritur pak javë më parë i ka dhënë rezultatet e para.

Sipas tij, në galeritë dhe stoqet e kromit, në pjesën jugore të minierës, thënë ndryshe “Zona D”, nuk po punojnë më privatë dhe qytetarë të palicencuar për nxjerrjen e përpunimin e mineralit të kromit.

“Kontrollet e ushtruara në vazhdimësi, nga të gjithë aktorët e Task-Forcës si: nga ana e zyrës së tatimeve, sigurimeve shoqërore, policisë, avari-shpëtimit, nënprefekturës Bulqizë etj., kanë dhënë rezultate pozitive. Prej ditësh, për shkak të kontrolleve të ushtruara dhe hetimeve të nisura nga policia dhe Prokuroria e Dibrës, asnjë person nuk ka guxuar të hyjë në galeritë e zonës D apo në stoqet e palicencuara”, ka thënë prefekti Seiti, duke shtuar se këto kontrolle kanë pasur mbështetjen e efektivave të policisë lokale dhe forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë.

Top Channel