Hekurudha Shqipëri-Kosovë “tremb” Transportet

01/05/2010 08:50

Prej tre muajsh, Kryeministri Sali Berisha ka përmendur disa herë projektin hekurudhor Shqipëri-Kosovë, madje me një tonacion që të bind se gjithçka është gati, ose të paktën diçka është vënë në lëvizje.

Gazeta “Shqip” është përpjekur të mësojë diçka rreth projektit madhor, pas atij të Durrës-Kukës, dhe për dy javë tentativash arriti të marrë përgjigje, natyrisht anonime.

Një nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike, ka pranuar faktin se deklaratat e Kryeministrit për ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri-Kosovë ka qenë një surprizë për institucionin që menaxhon sektorin.

“Për momentin nuk ka asgjë. As projekt, studim ose ndonjë interesim nga ndonjë kompani private”, tha zyrtari i ministrisë, i cili pranoi se Kryeministri i ka vënë para një detyre të vështirë.

“Si fillim na duhet të bëjmë një studim fizibiliteti, për të kuptuar nëse projekti ia vlen apo jo. Më pas do shohim”, vijoi ai, që nuk pranoi të jepte identitetin.

Nuk është hera e parë që ministrat i marrin detyrat ose vihen para përgjegjësisë përmes deklaratave të Kryeministrit në televizor apo në konferenca shtypi.

Me të tilla situata, Ministria e Financave është mësuar, sidomos kur bëhet fjalë për rritje pagash, pensioni, sado të jetë niveli i tyre, paratë për rrugët, si dhe sado të ulen taksat etj.

Top Channel