Brace: Militantët e PD-së provokojnë tensione

01/05/2010 12:15

Deputeti socialist Erjon Brace ka denoncuar tensionet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilat sipas tij janë shkaktuar nga militantët e Partisë Demokratike.

Në një prononcim për Top Channel, Brace ka denoncuar edhe “marrjen me dhunë” që po u bëhet punonjësve të administratës shtetërore për në mitingun festiv të qeverisë.

“Ka ende tension, grupet e militantëve të PD provokojnë njerëzit, ashtu sic po ndodh realisht në gjithë Shqipërinë”, ka deklaruar Brace. Sipas tij, metodat e dhunshme të qeverisë po shtrihen në të gjithë vendin, me qëllim provokimin e protestuesve të Partisë Socialiste.

“Kjo është pjesa fundore e asaj që po ndodh, pasi në të gjitha rrethet e Shqipërisë njerëzit po merren me zor për të dëgjuar këngët e Ciljetës”, ka pohuar Brace.

Lidhur me protestën e partisë së tij, deputeti i majtë ka theksuar se ajo do të përsëritet cdo javë dhe do të zgjerohet në të gjitha qytetet e vendit.

“Ka një organizim perfekt, ku gjithë Shqipëria do të jetë këtu një herë në javë për të protestuar në mbështetje të kolegëve tanë që janë në grevë. Aktivitetet tona do zgjerohen në gjithë vendin, me qëllim që protesta të marrë një zhvillim sa më të madh”, ka nënvizuar Brace, duke shtuar se protesta do të marrë fund vetëm me zgjidhjen e krizës, jo vetëm politike por edhe ekonomike.

“Protesta do të përfundojë vetëm në një rast, zgjidhja e krizës politike e institucionale, si dhe atë ekonomike që është bërë shumë e rëndë”, ka shtuar Brace.

Top Channel