Vizat, Fajon: Duam rezultate konkrete

29/04/2010 00:25

Raportuesja për vizat në Parlamentin Europian Tanja Fajon, kërkon që Tirana të sjellë rezultate konkrete për kushtet e paplotësuara të udhërrëfyesit përpara verës.

Këtë mesazh Fajon ia përcolli Zv/kryeministrit Ilir Meta gjatë takimit ku ishte i pranishëm dhe Kreu i Delegacionit për Ballkanin Eduard Kukan.

“Shqipëria ka bërë progres, por ende ka shumë gjëra që mbeten, dhe mendoj se tashmë topi është në duart e politikanëve të përgjegjshëm të vendit. Nëse ata do të kenë vullnet për të sjellë disa rezultate konkrete, përpara verës, atëherë Komisioni do të vazhdojë punën, duke çuar ndoshta ekspertët për të parë gatishmërine e vendit përpara pushimeve të verës. Nëse nuk do të jetë kështu, atëherë do të ketë vonesa dhe mendoj se janë qytetarët ata që do ta vuajnë në fund. Ndaj vlerësoj, është vërtet në duart e tyre, në duart e politikanëve që të sjellin së paku rezultate për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit dhe për çështjen e integrimit të të riatdhesuarëve”, tha raportuesja për vizat në PE Tanja Fajon.

Pyetjes së Top Channel mbi afatin maksimal kur shqiptarët do të mund të lëvizin pa viza në Europë Fajon iu përgjigj:

“Është shumë e vështir të flasësh për vonesat. Parlamenti Europian po jep mbështetje të fortë pasi duam të shohim që regjimi i lirë të bëhet për qytetarët në fillim të vjeshtës. Nëse nuk do të jetë kështu, nëse Shqipëria nuk vjen me rezultate, atëherë vonesat mund të jenë disa muaj, janari i vitit tjetër apo viti tjetër, por siç e thashë është në duart e politikanëve shqiptarë”, tha më tej europarlamentarja Fajon.

Zëvendëskryeministri Meta zhvilloi takim dhe me Kreun e grupimit të majtë në Parlamentin Europian Martin Shultz. Pas bisedës 40 minuteshe, Shultz deklaroi se takoi Ministrin e Jashtëm dhe jo Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nuk pranoi të komentonte zhvillimet politike në vend.

Meta u takua gjithashtu me raportuesin për Shqipërine Nikolaos Chountis, me të cilin bisedoi mbi problemet e vendit që eurodeputeti grek i ka paraqitur në projekt-rezolutën për Shqipërinë, e cila pritet të votohet në seancë plenare para pushimeve verore.

Top Channel