E qeshura i bën mirë shëndetit

28/04/2010 13:35

Një e qeshur në ditë i bën mirë shëndetit, madje mund të krahasohet me efektet që jep sporti tek trupi i njeriut.

Presioni dhe stresi janë “armiqtë” e të qeshurës, madje shpesh here, buza në gaz stimulon oreksin dhe forcon sistemin imunitar. Këtë e ka vënë re që në vitet ’70 Norman Cousins, historia e të cilit ka bërë xhiron e botës.

Kur mjeku i tha se vuante nga një sëmundje e rëndë në zemër, ai shikonte përditë filmin e vëllezërve Marx. “10 minuta të qeshura më bënin të flija pa dhimbje për disa orë. Kur efekti mbaronte rindizja televizorin”, theksonte Cousins. Në vitin 1971 ai mori medaljen e artë nga Kombet e Bashkuara, por më shumë se medalja ai kujtohet si babai i qeshje-terapisë.

Por nëse Cousins arriti në këtë përfundim vetëm me anë të intuitës, mjekët e “Loma Linda University” në Kaliforni kanë aplikuar një metodë shkencore për të kuptuar efektet pozitive të të qeshurës. Ata u kanë vendosur të sëmurëve klinikë filma të zgjedhur nga vetë të sëmurët.

Eksperimenti zgjati për tre javë rresht dhe para e pas filmave ata kontrollonin presionin e gjakut dhe kanë vënë re se ai ishte në nivele jo shumë të kënaqshme kur të sëmurët shihnin filma dramatikë dhe e kundërta për ata që shihnin filma komikë. Efekti i filmave komikë ka ndikuar edhe në nivelin e kolesterolit pasi ekipi kalifornian ka vënë re më pak në gjakun e të sëmurëve.  

Top Channel