Infermieret sarandjote, peticion ministrit Vasili

26/04/2010 09:15

Vetëm pak ditë pas njohjes me urdhrin e ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, për plotësimin e arsimit të plotë universitar për të gjithë personelin e infermierëve brenda vitit 2012, kanë reaguar infermieret e Sarandës.

Ato kanë hartuar një peticion, ku thuhet se kjo nuk është reformë, por flakje në rrugë që i bëhet personelit më me eksperiencë dhe aftësi profesionale në shërbimin e infermierisë.

“Përkrahim dhe jemi dakord me çdo reformë që ndërmerret për të mirën e shërbimit shëndetësor, por nuk besojmë se njohuritë, eksperienca dhe përkushtimi ynë shumëvjeçar në punë të vlerësohet në këtë mënyrë, duke na flakur në rrugë”, thuhet mes të tjerash në peticionin dërguar ministrit Vasili.

Të kontaktuara nga “Shqip”, infermieret firmëtare të peticionit janë shprehur se u kërkohet që plotësimi i shkallës së tyre arsimore të bëhet në universitete publike dhe për këtë ministri u lë dy vjet e gjysmë kohë.

Veç kësaj, ato shprehen dyshuese në atë se urdhri i ministrit këtë radhë vërtet ka për qëllim pajisjen e tyre me diplomë të nivelit të lartë arsimor në fushën e tyre.

Ato thanë se ky është presioni i dytë që bëhet dhe iu referuan eksperiencës së dështuar të dy viteve të shkuara, kur u shtrua për herë të parë kjo kërkesë.

“I njëjti presion na u bë para 2 vjetësh për të vazhduar Universitetin ‘Kristal’”, thanë infermieret e Sarandës.

Ato sollën si kundërargument faktin që disa kolege të tyre sakrifikuan shumë dhe e përfunduan atë universitet, por e tëra u shkoi dëm, pasi nuk janë paguar me një pagë më të lartë.

35 infermieret sarandjote, që kanë firmosur peticionin drejtuar ministrit Vasili, shërbejnë prej dekadash në qendra shëndetësore, spitale e shtëpi lindjeje dhe kryerja e detyrës dhe kualifikimet periodike, ku janë përfshirë dhe certifikuar, përveç arsimit të mesëm profesional që kanë mbaruar para viteve ‘90, i ka sjellë në rritje aftësitë e tyre profesionale.

Në peticionin e tyre ato jo thjesht sfidojnë kërkesën dikasteriale, por edhe sugjerojnë zgjidhje më praktike dhe efektive.

“Ne mendojmë se duhet gjetur mënyra që të japim provime të nevojshme shtesë, të cilat do të na shërbejnë për rritjen e kualifikimit tonë në punë”, shprehen ato.

Top Channel