Vullkani, rihapet hapësira ajrore

22/04/2010 09:50

Gati një javë pas paralizës së shkaktuar nga hiri i një vullkani që shpërtheu në Islandë, hapësira ajrore europiane është rihapur e gjitha për fluturime.

Kjo ishte pasojë e presionit të ushtruar nga industria e fluturimeve që thotë se ka humbur rreth 1.7 miliardë dollarë.

Ministri britanik i Transportit, Lordi Adonis e pranoi se rregullatorët ndërkombëtarë për sigurinë kishin qënë shumë të kujdesshëm në mënyrën e menaxhimit të krizës.

Zyrtarë të kompanive ajrore thanë se vendimi kishte qënë i mbështetur në atë që ata thonë se janë parashikime të diskutueshme.

Operatorët në aeroportin më të madh të Evropës, Heathrow, presin te realizohen 90 përqind e fluturimeve.

Vetëm në Finlandë, aeroporti kryesor i vendit mbetet i mbyllur përsëri. Por anullimi i gati 100 mijë fluturimeve lë pas shumë probleme dhe do të duhen javë përpara se të zgjidhet ngërci i pasagjerëve të mbetur në mes të rrugës.

Kombet e Bashkuara do të drejtojnë përpjekjet për zhvillimin e standardeve globale për përcaktimin e rreziqeve të sigurisë të shkaktuara nga hiri vullkanik në ajër.

Sipas organizates se Aviacionit Civil tha se problemet e ditëve të fundit nënkuptonin se kishte nevojë për një rrjet global për përcaktimin e niveleve të sigurisë në mënyrë rutinore.

Top Channel