I shpëtuar nga familja rome

22/04/2010 21:20

Në gusht të vitit 2008, nëna biologjike e hodhi foshnjën e sapolindur ne një kosh mbeturinash në zonen e Ujit të Ftohtë të qytetit të Vlorës.

Zoti desh që foshnja të jetonte dhe shpëtimtari i fëmijes është Leonard Xhemali, një pjesëtar i komunitetit rom, që e gjeti foshnjën mes mbeturinave duke qarë.

“Ishte mbuluar me plehra, sytë ishin me mbeturina. E mora e cova në shtëpi dhe e rrita. Mos e kisha gjetur unë, tani ajo do ishte e vdekur”, tregon ai.

Leonard Xhemali, nga qyteti i Vlorës, e siguron jetesën duke mbledhur mbeturina. Cdo ditë ai gërmon për të siguruar jetesën e fëmijëve të tij.

Tashmë ai punon edhe për të siguruar jetesën e Isaleos së vogël që jeton falë mirësisë së prindërve të tij të rinj romë.

Fëmija tashmë është rregjistruar në gjëndjen civile si pjesëtar i familjes rome, së bashku me dy fëmijët e tjerë të kësaj familjeje. “Kur me thonë ku e gjeta, them e gjeta poshtë derës. Nuk ka ardhur asnjë për ta marrë”, shprehet Xhemali.

Fëmija është rritur nga nëna e tij e re, e cila e ka mbajtur së bashku me dy të lindurit e saj. “E mora dhe e rrita vetë. E bëra si fëmijën tim. Ajo neve na njeh si nënë e si baba”, thotë Xhuljeta Xhemali.

Kushtet që ky fëmijë rritet janë të njëjta me ato të gjithë familjes, por nëna dhe babai i Isaelos së vogël kërkojnë ndihmë për shkak se varfëria e madhe është e papërballueshme për këtë familje.

Top Channel