Dule: PBDNJ, partia më e dëmtuar nga manipulimet

22/04/2010 21:45

Kryetari i Partise për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule ka folur në “Top Story” për bashkëpunimin e kësaj partie me organizatën OMONIA dhe fraksionet politike në vend.

“Besoj se ka disa elementë që duhet t’i shikojmë për t’iu afruar së vërtetës. PBDNJ është në një bashkëpunim strategjik me OMONIA-n që përfaqëson interesat e minoritetit etnik grek. PBDNJ u krijua pasi në vitin 1992, OMONIA-s iu ndalua të merrte pjesë në zgjedhje. Kjo është marrëdhënia mes PBDNJ dhe OMONIA-s që vazhdon që prej vitit 1992. Eshtë një bashkëpunim parimesh, programor dhe që është provuar se ka dhënë rezultate. OMONIA dhe PBDNJ nuk kane pretenduar dhe nuk kemi marrë asnjëherë përsipër që të jemi zëri i Athinës në Tiranë, por Athina ka një interes legjitim për fatin e pakicave greke në Shqipëri. Fakti se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës nuk ndikohen se kush e merr pushtetin në dy vendet, tregon një maturim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Krisjet e para në marrëdhëniet mes dy vendeve ndodhën kur ishte Micotaqi në Greqi dhe Berisha në Tiranë”, theksoi Dule.

Sipas tij, PBDNJ rezulton partia që është dëmtuar më shumë nga fenomenet e manipulimit të rezultatit zgjedhor. “PBDNJ nuk e kishte llogaritur gjithë atë ofensivë nga Partia Demokratike shtet. Ishte përtej reflekseve tona se mund të ndërmerrej një persekucion i tillë ndaj cdo njeriu. Për mua ngelet ende pa përgjigje nëse PS nuk kishte vullnet për të mbrojtur votat e PBDNJ  apo nuk kishte dëshirë. Nuk mund të vëmë në dyshim vullnetin e liderit të PS-së, por cështja është se nuk funksionoi”, pohoi ai.

Dule nenvizoi gjithashtu se kodi zgjedhor i impononte PBDNJ-së të ndryshonte strategji dhe të bënte marrëveshje parazgjedhore. “Nese PBDNJ do kishte dalë e vetme në zgjedhje, nuk do ishte sot në parlament. Nuk duhet të harrojmë se bemë me PS-në një marrëveshje ku PBDNJ nuk cedoi në asnjë pikë në programin e saj. Ishte një bashkëpunim mekanik, i detyrueshëm. Ne ezauruam të gjitha mundësitë e negocimit me PD-në. Që pas zgjedhjeve të 2007-ës, PD dhe kryeministri kishte nisur procesin me objektiva afatmesme për diversion. Ka qënë cështje që profili dhe natyra e të ushtruarit të politikës së PBDNJ-së nuk i shkonte për shtat kryeministrit. Nuk u thirrëm as në tryezën për ndryshimet në kabinet”, shtoi Dule.   

Top Channel