Berisha: Garanci KE për zgjidhjen e krizës

19/04/2010 19:10

Kryeministri Sali Berisha, duke komentuar vizitën e tij të fundit në Bruksel ka deklaruar se ka garantuar zyrtarët evropianë se mazhoranca e drejtuar prej tij do të bëjë maksimumin për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha ka deklaruar se në Shqipëri ekzistojnë ligjet dhe institucionet e duhura për të bërë një transparencë kushtetuese të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“E njoha komisionerin Fyle me veprimtarinë e Parlamentit dhe e sigurova se mazhoranca dhe unë do bëjmë cdo përpjekje për një bashkëpunim të gjithëanshëm me opozitën. E garantova se Kushtetuta dhe institucionet e Shqipërisë zotërojnë të gjitha procedurat për të bërë transparencën e zgjedhjeve dhe nuk kërkohet asgjë tjetër përvec zbatimit të këtyre procedurave”, ka deklaruar Berisha.

Kreu i qeverisë ka theksuar se situatën në vend ia kishte përcjellë edhe presidentit të KE, Jose Manuel Barroso, i cili sipas tij ka vlerësuar se opozita e ka vendin në Parlament.

“Në takimin me presidentin Barroso u theksua se vendi i opozitës është në Parlament dhe se mazhoranca do bëjë cdo përpjekje për të garantuar Kushtetutën e vendit dhe transparencën në mënyrë institucionale”, ka pohuar Berisha.

Më tej, duke komentuar momentet e dorëzimit të përgjigjeve të pyetësorit, Berisha është shprehur se data 14 prill përbën një nga momentet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe popullin e saj.

Berisha ka theksuar se rruga e Shqipërisë në këto 18 vjet ka qenë e vështirë, por ai ka nënvizuar se janë arritur progrese të rëndësishme, të cilat sipas tij janë konstatuar nga liderët evropianë.

“Udhëtimi 18 vjecar i Shqipërisë nuk ka qenë i lehtë, por me sakrifica. Por ai ka qenë i suksesshëm. Kolegë të mi, që kryesojnë qeveritë e vendeve anëtare të BE, e kanë vlerësuar këtë udhëtim si një mrekulli të vërtetë. Pas 18 vitesh në Bruksel unë përfaqësoja një vend anëtar të NATO-s. Përfaqësoja një vend që zhvilloi zgjedhje të lira e të ndershme, një vend me ekonomi tregu funksionale. Paraqita një vend që kishte lënë prapa 127 vende të globit, përfaqësoja një vend që po ndërton infrastrukturën më moderne në rajon”, është shprehur Berisha.

Ai ka shtuar më tej se zyrtarët evropianë i premtuan se do të shqyrtojnë me kujdes përgjigjet e pyetësorit dhe se ata kanë vlerësuar progreset e Shqipërisë në procesin për liberalizimin e vizave.

Top Channel