BB: Shqipëria, dështon turizmi

19/04/2010 21:25

Shqipëria po dështon të shndërrohet në një destinacion të mirëfilltë tursitik. Paralajmërimi vjen nga Banka Botërore, e cila në një raport të fundit që analizon gjendjen e sektorëve më kyc të ekonomisë, parlajmëron se Shqipëria është duke humbur terren në tregun rajonal të turizmit, nga i cili janë duke përfituar vendet fqinje.

“Si një vend që ka hyrë vonë në tregun e turzimit, Shqipëria po lihet mbrapa nga konkurrentët e saj në rajon, qeveritë e të cilave kanë vendosur si prioritete investimet në infrastrukturë dhe planifikimin e turizmit dhe kanë tërhequr në vendet e tyre operatorë të rëndësishëm ndërkombëtarë”, thotë raporti.

Ekspertët e bankës listojnë edhe disa nga problemet kryesore që po mbajnë në ngërc zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Të blesh tokë për të investuar në turizëm është e rrezikshme, për shkak të problemeve me pronësinë. Po kështu, rregullat e dobëta për mbrojtjen e mjedisit përbëjnë një kërcënim për zhvillimin e sektorit në të ardhmen”, vlerëson raporti.

Buxheti që qeveria jep për turizmin është ndër më të ulëtit në rajon, ndërkohë që edhe infrastruktura është në gjendje kritike.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht të ardhurat që Shqipëria merr nga turizmi janë gati 5 herë më të ulëta nga ato të Bullgarisë dhe rreth 8 herë më të ulëta nga ato të Kroacisë, vende të cilat po shënojnë rritjen të fortë të turizmit në rajon.

Banka thotë se Shqipëria konsiderohet aktualisht në tregun rajonal si një destinacion i dorës së dytë që i shtohet Greqisë apo Kroacisë, c’ka bën që edhe kohëqëndrimi i atyre të huajve që vizitojnë vendin të jetë i ulët.

Top Channel