Nis veprimi i “Antimafia”-s

18/04/2010 15:25

Pas daljes së ligjit të ri antimafia Prokuroria e Krimeve të Renda dërgon në gjykatë kërkesat për vendosje sekuestroje për 14 prona që janë në llogari të dy nga pjesëtarët e bandës së Lushnjës dhe bandës së Durrësit.

Disa nga këto prona që organi i akuzës pret të konfiskohen nga gjykata i përkasin Klodian Saliut i vrarë pesë vjet me parë pas përplasjeve mes bandave. Ndërsa pjesa tjetër janë për llogari të Afrim Hoxhës, nën gjykim mes të pandehurve të tjerë në pjesën e dytë të bandës.

Por nga miratimi i ligjit të ri antimafia vihen re një sërë risisht mes të cilave edhe hetimi pasuror pas vdekjes në rast se i ndjeri ka qënë i implikuar në organizata kriminale.

Ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe që shfuqizon ligjin e mëparshëm antimafia, ka zgjeruar kategorinë e veprave penale dhe rrethin e subjekteve ndaj të cilëve zhvillohet hetim pasuror, madje edhe ndaj atyre veprave që nuk janë në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Renda.

Të tilla janë shfrytëzimi i prostitucionit, pastrimi i parave apo prodhimi dhe mbajtja e narkotikëve. Ligji ka fuqi jo vetëm tek të afërmit e personave të dyshuar, por edhe tek trashëgimtarët në rast se i dyshuari ka vdekur, por për një periudhë prej pesë vjetësh.

Duke qënë se nga ligji i mëparshëm në mjaft sekuestrime sistemi i drejtesise dështoi, në këtë ligj antimafia në ekzekutimin e masës së sekuestros shtohet edhe funksioni i përmbaruesit gjyqësor. Mes risive është edhe kalimi i barrës së provës për të vërtetuar pasuritë që janë fituar në mënyrë të ligjshme. Gjithashtu neni 6 i jep të drejtë prokurorit të kryejë verifikime për burimet e të ardhurave të personit nën hetim.

Ndërkohë nga zyra e prokurores së përgjithshme ka dalë një urdhër nga i cili u kërkohet prokuorive të rretheve për të filluar hetim pasuror në rastet kur regjistrojnë veprat penale për të cilat të ardhurat e të dyshuarit janë objekt i ligjit antimafia.  

Top Channel