Ristani: Votimi elektronik, i mundshëm

17/04/2010 08:30

Votimi elektronik ka marrë tanimë miratimin politik. Ajo që është me më shumë rëndësi lidhet me mundësitë reale të aplikimit të tij që nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, vlerësohet si një opsion i realizueshëm.

“Mendoj se edhe kjo ide e Kryeministrit është koherente. Për mendimin tim është shumë e mundshme që votimi elektronik të realizohet. Ajo që është për të diskutuar është se në ç’masë dhe cili lloj i votimit elektronik do të mund të përdoret”, ka deklaruar Ristani.

Kreu i KQZ ka dhënë garancinë e tij për ruajtjen e identitetit të votuesve në një metodë të tille, detajet e të cilës sipas tij do të diskutohen në rang kombëtar.

“Sistemi elektronik i votimit është përdorur në disa vende të botës dhe janë kolauduar mekanizma të tilla që sigurojnë fshehtësinë e votës. Megjithatë, në rast se do të vendoset të përdoret votimi elektronik detajet do të debatohen sigurisht në mënyrë transparente, pasi një standard i tillë, tashmë është vendosur”, ka pohuar Ristani.

Top Channel