Kriza greke mbërrin në vjeshtë

15/04/2010 20:10

Shqipëria pritet të ndjejë në vjeshtë efektet e krizës ekonomike që ka mbërthyer Greqine dhe ka prekur Italinë këtë vit.

Drejtori i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale, Ilir Gedeshi sqaron se gjatë verës kjo krizë do të ndihet më pak në vend për shkak të turizmit dhe rritjes së produkteve bujqësore vendase.

“Rënia e remitancave do të vihet re pas periudhës së verës, sepse do të jetë sezoni turistik, do të vijnë emigrantet dhe do ketë shpenzime. Por kriza do ndihet më pas, tek familjet që nuk do të kene remitanca. Do kemi një ulje të fuqisë blerëse që do të shkaktojë probleme në vend”, pohon Gedeshi.

Zoti Gedeshi sqaron se në bazë të anketimeve të fundit me emigrantët në Greqi dhe Itali rezulton se 45.6% e emigranteve të pyetur kanë deklaruar se krizën e kanë ndjerë në shkurtimin e orëve dhe ditëve të punës, c’ka reflektohet direkt në të ardhurat e tyre.

Në 2009-ën vetëm 57.4% e familjeve emigrante në Greqi kanë dërguar para në Shqipëri, nga 76% që ishin në 2008-ën.

“Remitancat kanë pësuar një ulje të ndjeshme, janë paksuar me 109 milionë euro. Papunësia po rritet në Greqi dhe Itali me ritme të shpejta dhe emigrantët po humbasin vendet e punës. 10 përqind prej tyre kanë deklaruar se do të kthehen nëse kriza thellohet”, shton Gedeshi.

11.8% e migrantëve kanë deklaruar se nëse nuk kanë asnjë mundësi për të qendruar jashtë vendit do të kthehen në Shqipëri.

Pas viteve 1990 mendohet se 25% e popullsisë shqiptare emigroi jashtë vendit, duke i kthyer remitancat në një nga burimet kryesore të ekonomisë së Shqipërisë.

Top Channel