Kadilli, vizat: Sjellja e opozitës iracionale

15/04/2010 00:35

I ftuar në emisionin Top Show në Top Channel, deputeti i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli u shpreh se sjellja e opozitës në disa raste ka qënë iracionale dhe bartëse e një dëshire të fshehur për mosliberalizimin e vizave.

“Sjellja e opozitës në disa raste ka qënë iraconale, ç’ka çon në një dëshirë të fshehur për të mos fituar liberalizimin e vizave. Është arritur deri aty sa është thënë prej opozitës se nuk jemi gati për liberalizimin sepse nuk kemi kapur standartet. Vlerësimin nuk e bëjmë ne, por dikush tjetër. Kjo shpjegohet me një dëshirë për të ndëshkuar qeverinë. Qeveria do realizojë premtimin për liberalizimin e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë”, tha Kadilli.

Ndërkohë e pranishme në studion e Top Show, specialistja e çështjeve europiane, Ilda Zhulali vlerësoi rezolutën e miratuar unanimisht prej parlamentit shqiptar pak javë më parë.

“Rezoluta e miratuar nga parlamenti edhe me votat pro të opozitës ka patur influencë tek të gjithë aktorët europiane. Ne duam një imazh të mire të vendit tonë”, tha Zhulali.

Kurse deputeti socialist, Ditmir Bushati, duke iu kundërvëne këndvështrimeve të deputetit demokrat Kadilli, tha se qëndrimi i kushtëzuar i opozitës ndaj Kuvendit nuk ndikon në proçesin e liberalizimit të vizave pasi ky i fundit varet thellësisht prej plotësimit të kritereve teknike.

“Duhet ndarë proçesi i vizave nga rivaliteti i ditës dhe standartet zgjedhore. Protestat tona kanë të bëjnë me vendosjen e disa standarteve që janë ngritur themelet e BE-së. Parlamenti do të jetë në këtë situatë dhe marrëdhenia jonë me parlamentin do të jetë e kushtëzuar. Proçesi i integrimit ka të drejta dhe detyrime, psh kontrolli i SHISH-it apo pavarësia e ketij institucioni, ku pame se media emetoi para opinionit publik qëndrimin  e Nato-s”, tha deputeti socialist.

Top Channel