Hoxha: Efektet e krizës erdhën nga jashtë

15/04/2010 21:35

Drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha ka deklaruar se gjatë viteve të fundit ekonomia shqiptare ka marrë disa goditje.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Hoxha ka nënvizuar se këto goditje kanë ardhur kryesisht nga jashtë.

“Goditja e parë erdhi mbi depozitat, e dyta mbi eksportet, e treta tek remitancat. Këto ishin goditje për ekonominë shqiptare, që shkaktojnë efekte të tjera tek ekonomia. Rënia e depozitave i bën bankat më të kujdesshme, ndërsa rënia e eksporteve dhe remitancave krijojnë probleme të mëtejshme. Të tre këto goditje erdhën nga jashtë”, ka pohuar Hoxha.

Megjithatë, analisti i njohur vlerëson se situata ekonomike në vend po ripërtërihet, bazuar tek disa tregues pozitivë.

“Pak muaj më parë u ripërtëri besimi tek bankat dhe sot ato janë në një gjëndje të shëndoshë. Në 2010-ën kemi edhe rritje të eksporteve. Po marr sektorin e fasonistëve. Tremujori i parë i këtij viti flet për një rritje në vlerë prej 26%, rritja neto e të cilit është 13%, që është një rritje e mirë. Edhe energjia dhe sektorë të tjerë është në rritje në eksport”, ka nënvizuar Hoxha.

Ai ka shtuar më tej se së shpejti do të ketë të dhëna pozitive edhe nga bankat, të cilat do të rrisin kredidhënien, si dhe zhdukje të efekteve negative.

“Kreditë ende sot nuk kanë dalë nga vështirësia, por me siguri bankat shumë shpejt do fillojnë të jenë më pozitive në dhënien e kredive. Në 2009-ën kemi pasur një rritje të kredive me 4%. Efektet goditëse po zhduken njëri pas tjetrit”, ka shtuar Hoxha.

Top Channel