Fullani bankave: Tregoni kostot e fshehura

15/04/2010 18:45

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka kërkuar nga bankat private të bëjnë një rivlerësim të hollësishëm të kredive me probleme dhe më pas të nisin procedurat ligjore për ekzekutimin e atyre kredive që nuk mund të mblidhen më.

Në fund të vitit 2009 treguesi i kredive me probleme arriti në 10.5 për qind. Të dhënat tregojnë se kredia e keqe ka vazhduar të rritet edhe në muajt e parë të vitit, ndonëse jo më me ritme shqetësuese.

“Për kreditë e reja, nisur nga përvoja e bankave me problemet e shfaqura në portofolin e kredisë dhe arsyet përkatëse, është e domosdoshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve të investimeve publike dhe private, midis klientëve që përfaqësojnë sipërmarrje biznesi apo familje, midis formave të dhënies së kredisë në lekë ose në valutë, duke e orientuar kreditimin në mënyrë që të zvogëlohet ekspozimi ndaj formave më problematike dhe të ulet përqendrimi i kreditimit në përgjithësi”, u shpreh Fullani.

Një tjetër pikë e nxehtë e prekur nga guvernatori në forumin me bankat private ishte dhe ajo e kostove të fshehura që bankat u ngarkojnë individëve dhe bizneseve.

Guvernatori ka dashur ta mbyllë fjalën e tij me dy mesazhe, ku njëri i drejtohej bankave, dhe tjetri publikut të gjerë.

“Moto e sistemit bankar për vitin 2010 do të jetë: çdo lek depozitë e shtuar të konvertohet në një lek kredi të re për ekonominë. Më shumë besim tek monedha jonë, më shumë besim tek sistemi ynë bankar”, u shpreh Fullani.

Top Channel