Berisha premton lëshime ndaj opozitës

15/04/2010 16:00

Kryeministrit Sali Berisha i ka premtuar presidentit të Keshillit Europian Herman van Rompuy bashkëpunim me opoziten për cëshjet e zgjedhjeve. Berisha i premtoi presidentit te KE-së, se është i gatshëm të bëjë cdo lëshim ndaj opozites por brenda kornizes së reformës elektorale.

“E informova Presidentin për të gjitha reformat, përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, reformat ekonomike, duke përfshirë situatën politike në vendin tim. E sigurova Presidentin se qeveria ime dhe unë vetë do të bëjmë më të mirën, do të ndërmarrim çdo reformë, do të miratojmë çdo ligj, në mënyrë që Shqipëria të eci drejt integrimit në BE.  Dhe gjithashtu do të bëjmë çdo përpjekje për të punuar sëbashku me opozitën shqiptare”, u shpreh Berisha.

Kurse presidenti Van Rompuy theksoi ndër të tjera se ai e ndjek me vëmendje situatën në vendin tonë, ndërsa dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit ai e konsideroi si një moment historik për Shqipërinë.

“Do të doja ta përdorja këtë mundësi gjithashtu të ripërsërisja angazhimin tim të fortë për perspektivën e integrimit të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri më informoi për dorëzimin pranë Komisionit të përgjigjeve të Shqipërisë të Pyetësorit, pas aplikimit për t’u bashkuar me BE-në. Ky është një dokument historik për vendin tuaj. Ne diskutuam zhvillimet e brendshme politike të Shqipërisë dhe i konfirmova Kryeministrit se Bashkimi Europian po i ndjek këto zhvillime me interes dhe vëmendje të madhe. Vitin e kaluar, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje ishin një test vendimtar i demokracisë në progresin e Shqipërisë drejt gatishmërisë për anëtarësim në BE”, u shpreh Van Rompuy.

Berisha njoftoi po ashtu një vizitë që presidenti Van Rompuy do të kryejë së shpejti në Shqipëri, në kuadër të një turi ballkanik.

Top Channel