Shqipëri-Maqedoni, diskutohet liberalizimi i tregtisë

14/04/2010 08:00

Tirana dhe Shkupi po diskutojnë për liberalizimin final të tregtisë së prodhimeve bujqësore në të dyja anët e kufirit përmes heqjes së të gjitha barrierave tarifore.

Këtë e njoftoi dje media maqedonase, duke iu referuar burimeve nga qeveria. Protokolli për liberalizimin pritet të ratifikohet së shpejti dhe bazohet në marrëveshjen më të gjerë shumëpalëshe për krijimin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore.

Marrëveshja mund të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti. Ministri maqedonas i Ekonomisë, Fatmir Besimi, u takua së fundmi me homologun shqiptar, Dritan Prifti, dhe ranë dakord në përshpejtimin e procedurave të ratifikimit.

Shqipëria importoi nga Maqedonia 190 mijë tonë mallra me vlerë të përgjithshme prej 7 miliardë lekësh vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Importet qenë 40 për qind më të ulëta se në vitin 2008. Shqipëria eksportoi 2.9 miliardë lekë mallra në Maqedoni vitin e kaluar, por nga këto vetëm 365 milionë lekë qenë mallrat e përfshira në marrëveshjen e lehtësimit të tregtisë përmes heqjes së tarifave doganore.

Në lidhje me produktet bujqësore, Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë konkurrencë direkte në fushën e zarzavateve, pasi Shqipëria prodhon veçanërisht zarzavate të hershme, ndërsa Maqedonia prodhon zarzavate të vona.

Por shqetësues pas liberalizimit të tregtisë mund të jetë konkurrenca në prodhimin e frutave, ku karakteristikat klimaterike të Maqedonisë janë shumë të ngjashme me karakteristikat e Korçës dhe Peshkopisë.

Shumica dërrmuese e frutave të importuara në Shqipëri vijnë nga Maqedonia, ndërsa prodhuesit shqiptarë në zonat malore vuajnë nga sasitë e pakta të prodhuara në pemishte me sipërfaqe të vogla. Në total, liberalizimi i tregtisë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë pritet të sjellë përfitime gjithnjë e më të mëdha, për shkak se ndonëse Shqipëria zotëron një deficit të lartë tregtar me këtë vend, zotëron suficit të konsiderueshëm në sektorin e shërbimeve turistike.

Nga ana tjetër, megjithëse ka pranuar të heqë tarifat doganore për mallrat e importuara, Shqipëria mban nivel shumë të lartë referencash doganore, të cilat janë në kundërshtim me marrëveshjet e tregtisë së lirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA