Mbledhja e gjobave edhe me forcën e policisë

14/04/2010 08:35

Mbërrin në Kuvend, përmes rrugës së njohur të mungesës së transparencës, një ndër projektligjet që parashikon të revolucionarizojë sistemin e vjeljes së gjobave administrative.

Edhe pse vendimi është marrë nga qeveria më 17 mars, vijon ende të mos publikohet në faqen zyrtare, sikundër është vepruar me projektligjet e tjera, ndërsa biznesi nuk është njohur me ndryshimet, pavarësisht ekzistencës së Këshillit Konsultativ në METE.

Projektligji që përmban 49 nene, ndryshon për herë të parë që nga krijimi në vitin 1993, duke pasur parasysh stadin aktual të zhvillimit të biznesit dhe tregut. Duke parë problematikën e zbatimit të ligjit aktual në terren, të gjobave që nuk vilen dot nga institucionet mbikëqyrëse, bashkitë, komunat, inspektoratet, etj., si rrjedhojë e zvarritjes së gjyqeve apo mungesës së strukturave për arkëtimin e tyre, Ministria e Financave e shikon të arsyeshme kthimin e dënimeve administrative në tituj ekzekutivë.

Pra, qëllimi është vjelja direkt e gjobës, duke përdorur të gjitha format ligjore, përfshi dhe forcën e policisë, sikurse e parashikon projektligji.

Të gjitha vendimet e administratës publike, që parashikojnë dënime administrative, kthehen në tituj ekzekutivë, pasi të jenë respektuar afatet e ankimit, që nuk shkojnë më shumë se 6 muaj. Për kryerjen e kundërvajtjes administrative kanë përgjegjësi të gjithë personat e moshës mbi 18 vjeç, si dhe personat juridikë, pra bizneset.

Në nenin 7, “Llojet e sanksioneve administrative”, përcaktohet 4 forma të ndëshkimit, që janë gjoba dhe heqje lirie deri në 30 ditë, ndërsa sa i takon masës së gjobës, mund të jetë fikse apo e përcaktuar në kufijtë minimalë dhe maksimalë, por që nivelin e vendos vet institucioni, që mund të jetë bashki, komunë, ent rregullator apo inspektorat. Në nenin 8, pika 3, saktësohet masa e gjobës që vendosin bashkitë dhe komunat, që nuk mund të jetë më e madhe se 20 mijë lekë, për dënime të vogla administrative.

Thelbi i projektligjit është kthimi i vendimeve për kundërvajtjet administrative në titujt ekzekutivë, për institucionet e përmendura në nenin 18. Neni 22 thotë se, “vendimi për kundërvajtjen administrative, që parashikon dënim me gjobë, bëhet titull ekzekutiv kur merret nga organi administrativ, i parashikuar nga ligji i posaçëm, që nuk parashikon procedura të ankimimit administrativ.

Pra, qeveria ua lë në dorë të lirë institucioneve përkatëse nëse gjobën duan ta vjelin direkt, apo t’i japin mundësi subjektit ose individit që të ankohet. Në rast se subjektit i lejohet të bëjë ankesë tek institucioni që i ka vendosur gjobën dhe më pas e humb atë, atëherë ka të drejtë të bëjë ankesë në gjykatë, brenda 30 ditësh. Nëse merret vendim i formës së prerë, gjobat duhet të paguhet brenda 10 ditësh, nga data kur është njoftuar kundërvajtësi. Gjithashtu, në rast se subjekti apo individi nuk ka mundësi të paguajë gjobën, i lejohet ta shlyejë me këste.

Tjetër risi e projektligjit është forma e sekuestrimit të sendit, që ka shërbyer për kryerjen e kundërvajtjes administrative. Këtu përfshihen mjetet e transportit, të cilat në raste të shkeljes së ligjit, kalojnë direkt në magazinat e shtetit si efekt konfiskimi. Nuk i bllokohet mjeti pronarit në rast se shkeljen nuk e ka bërë vet ai, por një person tjetër, i cili duhet të paguajë gjobën sipas ligjit.

Konfiskimi i sendit apo i parave do të kryhet direkt pas vendimit të prerë të gjykatës. “Zbatimi i titujve ekzekutivë, kur është i nevojshëm, bëhet në bashkëpunim me organet e policisë, ndërsa kur gjoba vendoset nga Policia e Shtetit, atëherë ajo arkëtohet duke përdorur dhe forcën, në rast se nevojitet”, thuhet në pikat 3 dhe 4 të nenit 29.

Vendimi për kundërvajtjen administrative nuk mund të ankimohet në gjykatë, në rast se individi nuk e ka kryer procedurën e ankesës përmes rrugës administrative. Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative kryhet brenda 30 ditëve nga data e konstatimit të saj, por jo më vonë se 6 muaj pas kryerjes së kësaj kundërvajtjeje. Ky afat është për administratën publike (në rast se nuk e parashikon ligji i tyre), ndërsa gjykatat përjashtohen nga ky kriter.  
 

Top Channel