Shqipëria ka shpenzuar 633 milionë euro për importimin e energjisë elektrike që nga viti 2002, shifër kjo e barabartë me të gjitha nevojat e vendit për investime në burime të reja energjetike.
Të dhënat e publikuara së fundmi nga Enti Rregullator i Energjisë vënë në pah se vetëm në tre vitet e fundit, importi i dritave ka kushtuar 478 milionë euro. Në rast se këto para do të ishin investuar në ndërtim termocentralesh, atëherë Shqipëria do të bëhej sot vend suficitar në prodhimin e energjisë elektrike.
Importet e dritave kanë qenë veçanërisht të rënda në vitet 2007-2008, kur çmimi i energjisë së importuar arriti kulmin në 79 euro për MW, ndërsa Shqipëria u detyrua të importojë 30 deri në 50 për qind të nevojave të veta. Importet u ulën në vitin 2009, por gjithsesi qenë 97 milionë euro ose mbi 1.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Shpenzimet për blerjen e energjisë elektrike nga importi në vitet 2007 dhe 2008 janë rekordi historik i shpenzimeve dhe kjo jo vetëm në sajë të sasive rekord të importuara, por edhe në sajë të çmimeve rekord të importit të energjisë. Duke parë këto bilance të importeve të energjisë elektrike, mund të thuhet me të drejtë se energjia elektrike përfaqëson një produkt me kosto shumë të lartë që për pasojë duhet të përdoret me eficiencë shumë të lartë”, thotë ERE.
Një studim i përgatitur nga KESH me fonde të Bankës Botërore dhe me konsulencë të huaj në vitin 2002, sanksionoi se Shqipëria duhej të investonte rreth 500-600 milionë euro në burime të reja energjetike deri në vitin 2007, në mënyrë që të siguronte mbulimin e të gjithë konsumit me prodhim vendës. Termocentrali i Vlorës duhej të ndërtohej në madhësinë 400-600 MW sipas këtij studimi, ndërsa në Durrës duhej të ndërtohej një termocentral tjetër me fuqi të instaluar 210 MW. Plani fillestar u sabotua vazhdimisht deri sa në vitin 2006, qeveria hoqi dorë publikisht nga investimet me fonde publike në termocentrale dhe filloi një fushatë për dhënien me koncesion të lumenjve, si dhe për të lejuar kompanitë e huaja të ndërtojnë termocentrale të mëdha. Në të gjitha rastet, Shqipërisë do t’i duhet të paguajë shumë më shtrenjtë se sa do t’i kushtonte energjia në rast se ndërtoheshin termocentralet.
Top Channel