Berisha: Dorëzimi i pyetësorit, moment historik

14/04/2010 19:40

Kryeministri i vendit Sali Berisha e ka cilësuar si një moment të jashtëzakonshëm dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit në Bruksel.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur para pak castesh me komisionerin për Zgjerimin Shtefan Fyle, Berisha është shprehur se këto përgjigje janë përpjekjet më madhore që ka bërë Shqipëria në këto 18 vjet.

“Është për mua një moment i jashtëzakonshëm, ndërsa për vendin shumë historik, t’i jap komisionerit Fyle përgjigjet e 2284 pyetjeve të KE. Ajo që shihni këtu është momenti më i rëndësishëm për vendin tim në 18 vitet e fundit”, ka deklaruar Berisha.

Kreu i qeverisë ka vlerësuar se për hartimin e përgjigjeve kanë punuar rreth 1200 ekspertë dhe ka nënvizuar se në to paraqiten reformat e realizuara nga kabineti i tij.

“Këtu ka mbi 1200 ekspertë, që kanë paraqitur cfarë Shqipëria ka bërë në këtë kohë, gjithësia e reformave të realizuara nga vendi ynë për të ndryshuar vendin. Nëse kthehemi pas 18 vjet, kombi im kategorizohej si një nga vendet më të varfëra të planetit. Ndërsa tani vendi im sjell këtu përgjigjet më shpresën për një vlerësim pozitiv”, është shprehur Berisha, duke dhënë garancinë e tij se në muajt që do të vinë qeveria e tij do të bëjë të pamundurën për të marrë një përgjigje pozitive.

“Komisioneri Fyle më tha se ky është një fillim i ri. Dhe unë i thash se për ne fillimi i ri është gjëja më emocionuese. Gjatë muajve që do të vijnë, me transparencë të plotë ne do bëjmë c’është e mundur që të kemi një vlerësim pozitiv”, ka premtuar Berisha.

Më tej, i pyetur për krizën politike, kryeministri i është referuar raportit të OSBE/ODIHR, i cili nuk jep prova për manipulime, si dhe ka rishprehur gatishmërinë e mazhorancës për të zhvilluar një hetim në respekt të Kushtetutës.

“Përsa i takon zgjedhjeve, ODIHR dhe OSBE vlerësuan realizimin e shumë standarteve dhe nuk ka raportime për manipulime votash. Ky është vlerësimi ndërkombëtar. Është një kërkesë e opozitës për të shikuar votat, por këtë kërkesë e ka hedhur poshtë gjykata. Qeveria ime është shumë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën”, ka shtuar Berisha.

Top Channel