Sheshi, Berisha: Rama të bashkëpunojë

09/04/2010 18:30

Kryeministri Sali Berisha, duke përsëritur mbështetjen në parim të qeverisë për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”, ka renditur 7 argumenta, përse, sipas tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama duhet të reflektojë për difektet e projektit aktual të sheshit dhe të tërhiqet nga zbatimi i tij.

Katër argumentat e parë, sipas kryeministrit janë detyrime ligjore për respektimin e trashëgimisë kulturore, kushte të vendosura nga Insituti i Monumenteve të Kulturës për miratimin e planit belg. Së pari janë kullat e projektuara në shesh.

“Heqjen dorë nga kulla, e cila bllokon bulevardin apo ndan bulevardin Zogu i Parë me Sheshin Skënderbej dhe e shndërron në rrugë qorre, sikundër shtrohet problemi për kullat e tjera që jane largim nga identiteti i kompleksit”, deklaroi kryeministri Berisha.

Argumentat e tjerë të institutit, të cilat duhet të zbatohen nga Bashkia, siç thotë zoti Berisha janë heqja e piramidës, e projektuar në shesh, ruajtja e identitetit me blloqet e gurëve dhe çështja e pjerrësisë së sheshit.

“Pranon pjerrësinë 1 perqind, 2.7 pritet pamja. I bëj thirrje zotit Rama që, ashtu si në rastin e parë, po kaq i detyrueshëm është për zotin Rama dhe zotin Berisha, të zbatojnë përcaktimet e Institutit, gardian i konservimit dhe zhvillimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit”, vijoi në fjalën e tij Berisha.

Një argument tjetër, nëpërmjet të cilit kryeministri Berisha i kërkon kryetarit të Bashkisë, Edi Rama të ndërpresë punimet në shesh dhe të bashkëpunojë me qeverinë ka të bëjë me atë që kryeministri e cilëson si mungesë transparence, duke kërkuar diskutimin e planit me profesionistët dhe qytetarët.

“Debatet kanë dëshmuar për një mungesë të madhe transparence dhe dëshmojnë se ky plan është ndërtuar mbi bazën e konfliktit të interesit”, tha kreu i ekzekutivit.

Argumenti i 6-të i kryeministrit ka të bëjë me dërgimin e planit për miratim në KRRTRSH. Sipas kryeministrit ky veprim nuk cënon kompetencat e pushtetit lokal për lejet e ndërtimit, për të cilat ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese.

“Në rast se gjykata bën fjalë për leje ndërtimi, KRRTRSH nuk merret me leje, por me miratimin në tërësi të ndryshimit ose jo”, tha Berisha.

Argumenti i 7-të, por më i rëndësishmi për kryeministrin Berisha është çështja e trafikut, që sipas kreut të qeverisë mbetet krejt i pazgjidhur nga projekti belg dhe që duke cituar projektuesit e tij, zoti Berisha tha se kërkon funksionimin e katër unazave në Tiranë.

“Po ku janë unazat? Sot kemi vetëm një unazë funksionale. Kjo nuk bëhet me vrap. Një unazë ka në Tiranë, duhen edhe tre të tjera për t’i dalë zot trafikut. Kryetari i Bashkisë kërkon shpronësimin. Nuk kam absolutisht as edhe hezitimin më të vogël, por kam zero garanci përsa i përket trafikut. Nëse ka një gjë, që do të prekë në lëkurë, çdo qytetar të Tiranës, do të jetë trafiku. Sot problemi numër një i Tiranës është trafiku. Ta katranosim më tutje? Jo. Nuk bëhen me inat këto, por me përkujdesje shumë të madhe”, vijoi me tej kryeministri.

A do të ndërhyjë qeveria për të bllokuar punimet e Bashkisë në sheshin “Skënderbej”?

“E fundit gjë, që ne do të dëshironim, është të na imponohej një qëndrim i tillë. Dëshira jonë dhe qendrimi ynë është shume i hapur. Të arrihet në një marrëveshje, në përputhje të plotë me kompentencat e qeverisë vendore”, përgjigjet Berisha.

Duke ftuar zotin Rama të mos kundërshtojë bashkëpunimin pa i analizuar më parë këto argumenta, kryeministri Berisha u përpoq, që me humor, të ndante debatin për sheshin nga aktualiteti politik.

“Unë i kam ofruar atij, urdhëro, po të duash, të bëjmë një gjë madhështore për 100 vjetorin e pavarsisë. Nuk bie dakort se nuk dihet rezultati i zgjedhjeve. Është problem kjo, megjithese unë po vë sistemin elektronik, por ai prape, filloi ta kundërshtojë edhe atë. Nuk gjen karar ai, me këtë punën e votës, e ka problem, por s’kam ç’i bëj. T’i lëmë ato. Me kutinë të merremi veçmas, sepse sheshin e Tiranës nuk mund ta bëjmë si kutia. Sheshi i Tiranës është sheshi i Shqipërisë”, përfundoi kryeministri Berisha. 

Top Channel