Muzika shqiptare entuziazmon Tanja Fajon

09/04/2010 19:55

Ritmi festiv i dasmave shqiptare është cmuar për mëse një orë në Parlamentin Europian. Banda e Josif Shukallarit dhe grupi boshnjak Sejfullah ishin të ftuarit specialë të eurodeputetes Tanja Fajon, të cilës muzika i dha forcë për t’u shprehur me optimizëm për liberalizimin e vizave.

“Ideja ishte që, sic e dini, unë mbështes fuqimisht lëvizjen e lirë për qytetarët që jetojnë në Ballkanin Perëndimor, e se ky proces duhet finalizuar dhe për Bosnjen e Shqipërine dhe meqënëse të dy vendet kanë punuar fort gjatë muajve të fundit, shpresoj që këtë verë, jo shumë vonë, të heqim regjimin e vizave dhe për Bosnje-Hercegovinen e Shqipërinë”, theksoi Fajon.

Banda e Josif Shukallarit dhe grupi boshnjak ndodhen në Bruksel për festivalin e përvitshem “Balkan Trafik” që mbahet këtë fundjavë. Per 3 netë me radhë ofrohet meze shumëkulturore, unike në Europe, sipas organizatoreve, me këngë e valle nga Maqedonia, Serbia, Bosnja, Rumania, Bullgaria, Greqia e Shqipëria.

Top Channel