Gjithçka për një nudo

09/04/2010 19:00

Në studion modeste të Agim Fajës koha nuk mjafton për të përmbushur një mision të nisur 50 vite më parë. Piktorin nga Shijaku e gjejmë në punë e sipër. Këmbet nuk i përgjigjen dëshires për të zhvilluar krijmtarinë jashtë në natyrë, por Agimi vazhdon të hedhë në telajo cdo grimcë të përditshmerisë së tij. Punët e realizuara ndër vite të lënë të kuptosh se Agim Faja është nje artist i telajove me ngjyra erotike.

Piktori i kohëve të realizmit socialist asnjëherë nuk ka bërë kompromis për të hequr dorë nga linjat apo format e nje trupi të zhveshur. “Fillimisht bëra vizatime dhe më pas nudo me ngjyra vaji. Në fillim na i siguronin profesoret tanë pastaj i gjenim vetë. Dilnim tek banka i gjenim, i piksanim kush ishin, i merrnim, u thoshim që do shkonin në institut dhe rrugës ua shpjegonim’, shprehet Agimi.

Gjurmët e pasionit të tij për të bukurën ndihen në cdo cep të dhomës. Edhe në ato telajo që në pamje të parë të kujtojnë Shqipërinë komuniste, elementet erotike nuk mungojnë. “Problem kishim pjesën e poshtme, të mbathurat, por pastaj ato filluan te sillnin njëra-tjetrën’, shton piktori. Ky koleksion që ka mbijetuar në kënde të fshehura me kujdes, tregon se ai nuk i është ndarë asnjëherë nudizmit, pavarësisht komisioneve partiake të asaj kohe.

71 vjecari ka edhe një të vecantë tjetër. Cdo eksperiencë e tij me modelet nudo është ruajtuar në një libër të pabotuar. Ai ka treguar një kujdes të jashtëzakonshëm në sistemimin e gjithë krijmtarisë. Raftet mbajnë kujtime apo mbresa familjare, erotike dhe historike. Pranë tij qëndron një kompjuter por Agimi i qëndron besnik shkrimit të dorës kur bëhet fjalë për të renditur ndër rreshta përjetimet e tij.

Nga i gjithe ky përkushtim, ajo që më shumë të tërheq vëmendjen është korrespondeca që Agimi ruante me bashkëshorten e tij, Nurien në ato pak ditë që qendronin larg njëri-tjetrit. Një ekzemplar i rrallë i kohës së tij, piktori Agim Faja është dëshmia se arti pa censurë mund ta gjejë vetveten edhe në ditët më të errëta.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel