Sheshi, Xhaferraj: Rama ka shkelur ligjet

08/04/2010 18:40

Në seancën e sotme parlamentare, ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferraj ka hedhur një seri akuzash ndaj bashkisë së Tiranës për cështjen e sheshit “Skëndërbej”.

Gjatë fjalës së tij Xhaferraj ka deklaruar se qeveria nuk synon të pengojë bashkinë, por ta ndalojë atë në shkeljen e ligjeve.

“Nuk ka pasur tendencë për të penguar bashkinë. Këshilli Kombëtar i Restaurimeve është mbledhur dhe ka vendosur t’i bëjë disa modifikime projektit”, ka pohuar Xhaferraj.

Duke theksuar se debati për sheshin vijon që prej vitit 2008, ministri ka nënvizuar se kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, po shkel ligjet e miratuara nga ai vetë kur ka qenë ministër i Kulturës.

“Bashkia po vepron në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye ne kemi bllokuar procedurat”, ka shtuar Xhaferraj.

Top Channel