Qeveria po tenton të marrë borxh në tregun ndërkombëtar përmes emetimit të letrave me vlerë në euro, për të shlyer kredinë që mori një vit më parë për rrugën Durrës-Kukës me interesat më të larta historike mbi 12 përqind.
Ministria e Financave ka njoftuar se përmes eurobondeve që do të emetojë në fund të këtij muaji shpreson të marrë 300 deri në 400 milionë euro borxh me interesa të tregut, nga të cilat më shumë se gjysma do të shkojnë për shlyerjen e kredisë së rrugës Durrës-Kukës dhe pjesa tjetër do të përdoret për të mbuluar deficitin buxhetor të vitit 2010.
Kjo është hera e parë që një qeveri shqiptare tenton të dalë në tregun ndërkombëtar për të marrë borxh me letra me vlerë.
Deri tani qeveria shqiptare ka marrë borxh vetëm përmes letrave me vlerë në lek, të cilat shiten nga Banka e Shqipërisë dhe blihen nga bankat private vendase ose individët.
Këtë herë qeveria pretendon që borxhin në euro ta marrë me interesa të ulëta, por sërish do të jetë tregu ai që do të vendosë se sa do të jenë interesat.
Në vitin 2007 Shqipëria mori për herë të parë një vlerësim për aftësinë e saj borxhmbajtëse nga kompania e mirënjohur Mudis, e cila vlerësoi letrat me vlerë të qeverisë shqiptare me indeksin B1, cka ndikon direkt në interesin e borxhit që një vend merr në treg.
Vlerësimi B1 hyn tek letrat me vlerë që konsiderohen si jo të garancisë së lartë, por spekulative dhe që u mungojnë karakteristikat e një investimi të dëshirueshëm, ndaj dhe interesi me të cilin pritet që qeveria t’i marrë këtë borxh nuk pritet të jetë ndër më të ulëtit.
Një tjetër pikëpyetje ka të bëjë me suksesin e procesit.
Top Channel