“Euobserver”: Vizat nuk hiqen në verë

07/04/2010 08:40

Premtimi i qeverisë shqiptare se qytetarët e saj do mund të udhëtojnë pa viza që prej kësaj vere, nuk ka shumë gjasa të ndodhë.

Sipas “Euobserver”, Komisioni Europian ende nuk ka prezantuar një raport në lidhje me plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Qytetarët e dy vendeve kanë ende nevojë për një vizë që të vizitojnë vendet e hapësirës Shengen, ndërsa Bashkimi Europian hoqi vizat për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë vitin e shkuar. Kosova ende nuk është përfshirë në këtë proces.

“Euobserver” u referohet burimeve nga Bashkimi Europian, që thonë se komisioni do ta paraqesë raportin gjatë këtij muaji dhe rekomandimi i mundshëm nuk do të paraqitet përpara qershorit.

Referuar traktatit të Lisbonës, aprovimi nga Parlamenti Europian është i domosdoshëm për të kaluar drejt një regjimi pa viza për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Parlamenti Europian duket se ka vullnet për të marrë një vendim të tillë, por do t’i duhen së paku dy muaj që të ndërmarrë hapat proceduralë të natyrës formale.

Në fund të kësaj procedure, u takon vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të marrin vendimin final.

Diplomatët e Bashkimit Europian presin që ekspertët e komisionit në raportin e tyre të prillit të konfirmojnë se Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë progres drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara për liberalizimin e vizave.

Por, mbase ata do të thonë se dy vendet nuk i kanë përmbushur totalisht kriteret. Referuar burimeve, Bosnja ndodhet në një pozitë më të mirë se sa Shqipëria.

Top Channel