Tregu, rritet sërish çmimi i naftës

06/04/2010 08:55

Shqiptarët u përballëm me çmime katër lekë më të larta për naftën këtë fundjavë, pasi një pjesë e rrjeteve të shpërndarjes së karburanteve vendosën t’ia kalojnë konsumatorit rritjen e kostos së importit dhe zhvlerësimit të lekut.

Javën e kaluar, nafta e cilësisë së lartë të njohur si Eurodiesel, kushtonte maksimalisht 138 lekë, ndërsa dje, çmimi u rrit në 142 lekë.

Rritja e çmimeve qe paralajmëruar që më herët nga Shoqata Kombëtare e Hidrokarbureve, e cila deklaroi se zhvlerësimi i lekut kundrejt dollarit si dhe rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, e bën të pashmangshëm rritjen e çmimit final për konsumatorët.

Çmimet në tregun ndërkombëtar kanë kaluar në mbi 80 dollarë për fuçi gjatë ditëve të fundit, ndërsa një vit më parë, nafta kushtonte vetëm 40 dollarë për fuçi.

Nga ana tjetër, këtë vit taksat e marra nga qeveria për naftën e importuar janë më të larta se një vit më parë. Çmimi i naftës pritet të udhëheqë ecurinë e përgjithshme të kostos së jetesës së shqiptarëve gjatë këtij viti.

Top Channel