Berisha: Shqipëria e-vote si Estonia

05/04/2010 19:50

Vizita zyrtare e kryeministrit të Estonisë Andrus Ansip, që u cilësua si historike nga kryeministri Berisha, kishte në fakt një qëllim më modest:

nënshkrimin e një marrëveshjeje standarte për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.

Por Estonia, një prej tre republikave baltike, e cila u anëtarësua në Bashkimin Europian më 1 maj të 2004-ës, është vendi me penetrimin më të madh të teknologjisë së informacionit në Europë.

“Në Estoni kemi madje edhe zgjedhjet elektronike. Për herë të parë ne i zgjodhëm njësitë tona vendore nëpërmjet internetit në vitin 2005. Vitin e shkuar patëm madje dy palë zgjedhje, për Parlamentin Europian dhe sërish zgjedhje lokale. Dhe madje vitin që shkoi rreth 15 për qind të votave i numëruam nëpërmjet internetit. Përderisa mund t’i besojmë paratë tona dikujt, aty, duke lëvizur nëpërmjet internetit, pse të mos i besojmë votat tona?”, ka deklaruar Ansip.

I pari në Shqipëri që duket se i beson kësaj teknologjie është kryeministri Berisha, i cili madje ka një propozim konkret në adresë të opozitës.

“Anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, nga qeveria dhe nga opozita të bëjnë një vizitë në Estoni dhe të shohin të gjithë praktikën që është përdorur nga ky vend për zgjedhje elektronike. Unë personalisht kam besim të plotë, nuk kam as më të voglin dyshim, se thashethemet dhe frika në zgjedhje ndaj sistemeve elektronike, janë provuar tërësisht të pabazuara. E vërteta është se këto sisteme po përdoren gjithnjë e më shumë dhe janë sistemet më transparente”, ka pohuar Berisha.

Një shkëmbim përvoje për projektet elektronike të Parlamentit iu kërkua kryeministrit estonez nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, sic bën të ditur në një njoftim zyrtar zyra e shtypit e Kuvendit.

Top Channel