Pittella: Mbështetje për liberalizimin e vizave

31/03/2010 12:00

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Gianni Pittella gjatë qëndrimit të tij në Tiranë është takuar me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, së cilës i garantoi përkrahjen në procesin e liberalizimit të vizave, si edhe në përshpejtimin e integrimit të vendit.

Në qendër të bashkëbisedimit, sipas njoftimit zyrtar të kuvendit, ka qenë heqja e vizave, një prioritet kryesor i qeverisë.

Po sipas njoftimit, Topalli është ndalur edhe në situatën politike, duke theksuar se parlamenti mbetet vendi i dialogut, ndaj opozita duhet të jetë pjesë e plotë e veprimtarisë së institucionit.

“Unë shpresoj që deputetët e opozitës të bëhen pjesë, jo vetëm e transparencës së zgjedhjeve më të mira e të ndershme të realizuara në Shqipëri, por mbi të gjitha të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në debatet kryesore”, u shpreh Topalli.

Edhe Pittella favorizon dialogun në parlament, duke theksuar se atje është “shtëpia e të gjithëve.

Top Channel