Pirateria mbyt televizionin

31/03/2010 19:55

Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit pranon se pirateria televizive mbetet një problem i mprehtë për tregun televiziv në Shqipëri. KKRT paraqiti në komisionin parlamentar të medias raportin e vet vjetor.

“Rezulton se pirateria është e pranishme, sidomos në operatorët kabllorë e analogë vendorë, sinjali i të cilëve nuk kapet nga zyra e monitorimit të KKRT-së. Champions, Premiera Division, etj, janë programet që piratohen më së shumti. Fenomen shqetësues që na rendit në vendet me nivelin më të ulët përsa i takon respektimit të të drejtave televizive ne rajon”, ka deklaruar Endira Bushati, kryetare e KKRT-së.

Ajo ka bërë të ditur se dikasteri i saj ka gjobitur disa platformave numerike, të cilat kanë transmetuar pa të drejtë filma që po transmetohen aktualisht në kinema.

“Personalisht kam konstatuar, në fillim të punës sime në nëntor, një lumë ankesash nga operatorët për cështjen e transmetimit pa të drejta. Përmend këtu “Tring”, 5 herë i sanksionuar me gjobë maksimale për transmetim filmash pa të drejta. Është e pamendueshme që sot, në 2010-ën ky subjekt transmeton filma që janë akoma në kinema në 2010. Ndaj për këtë operator ka pasur ankesa edhe nga kompani amerikane e europiane”, ka pohuar Bushati.

Por ajo që është më e rëndë është se KKRT pranon se është e pafuqishme përballë kësaj piraterie. Por jo pse nuk vë gjoba, por sepse gjobat e KKRT-së nuk vilen.

“Ka pasur 18 subjekte të gjobitura për vitin 2009, por nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk është realizuar vjelja e detyrimit për këto subjekte”, ka shtuar Bushati.

Po ashtu, KKRT pranoi se Shqipëria është mjaft e vonuar me përgatitjen e kuadrit ligjor, për kalimin përfundimtar nga transmetimet analoge në transmetimet dixhitale tokësore. Ndonëse ky kalim në Europë do të realizohet brenda vitit 2012 dhe në Shqipëri ka operatorë privatë që janë në pararojë të teknologjisë dixhitale.

Top Channel