Berisha: Ngjallni humorin!

31/03/2010 20:10

Ndonëse kanë kaluar shumë vite, kanë mbetur të freskëta në kujtesën e shqiptarëve komeditë dhe paroditë humoristike vendase para viteve ‘90, atëherë kur shumica e qyeteteve më të mëdha kishin estradën e tyre, si Tirana, Vlora, Shkodra, Durrësi e Fieri.

Por kjo gjini shkoi drejt zbehjes, e më pas shpërbërjes së trupave e madje edhe mbylljes së ambienteve ku zhvilloheshin aktivitetet.

Në këto kushte, kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Kulturës Ferdinand Xhaferaj, që të krijojë mundesitë për të kthyer funksionimin e teatrit të komedisë dhe humorit.

“Zoti ministër, do mbledhësh ekspertë të kësaj fushe, shkrimtarë, satiristë dhe ky institucion i pazëvendësueshëm duhet të fillojë të funksionojë me mbështetjen e qeverisë, pasi ai iu la tregut dhe tregu e zhduku fare”, ka deklaruar kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë.

Berisha ka kërkuar stimuj të rinj për të nxitur humorin shqiptar dhe pasi ka vlerësuar spektaklet në televizione, ka nënvizuar se ekrani nuk mund të zëvendësojë skenën.

“Askush nuk mund të më bindë që njerëzit nuk duan të qeshin. Ndaj zoti ministër, të gjendet salla, t’i jepet një karakter kombëtar teatrit dhe jo lokal, pasi nëse do t’i jepnim karakter lokal sërish do ta ‘hante’ betoni dhe të përcaktohen stimuj, në mënyrë që të rindërtohet ai. Pasi, faktikisht, përveçse përpjekjeve të disa televizioneve që janë për t’u lavdëruar, ndonëse edhe ata nuk i lënë mesazhet, ekrani nuk e zëvendëson skenën”, ka shtuar Berisha.

Top Channel